Skip to content

DENONCIMI: Liridon Pula është shantazhuar tre herë në zyrë, i kanë kërkuar të largohet nga Durrësi

Prokurori Arjan Ndoja

Enkelejd Alibeaj deklaroi në emër të PD-së, se drejtuesi i arrestuar i Kadastrës në Durrës “është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion”.

Por zv.kryeministri Braçe mohoi çfarëdo lidhje fisnore me Pulën, dukë thënë se nuk kishte asnjë pikë takimi mes tyre.

Ai tha se do i kërkonte Alibeajt të provonte në gjyq akuzën, duke aluduar se do e padiste për shpifje.

Braçe i tha BIRN se drejtori i ASHK-së, Liridon Pula ishte shantazhuar tre herë në zyrën e tij.

Në një nga rastet, sipas Braçes drejtuesit të Kadastrës i është kërkuar të largohet nga Durrësi.

“Kam marrë dëshminë e personit nën shantazh, që është drejtuesi i zyrës së Kadatrës së Durrësit,” tha Braçe, duke këmbëngulur se do të mbronte çdo punonjës të shtetit që vihej nën presion kriminal.

Ai mohoi të kishte ushtruar presion, teksa u shfaq në gjykatë, ndërsa jepes masa e sigurisë për Pula-n.

“Fare, unë nuk kam ndërhyrë asnjë sekondë në procedurat hetimore që ka nisur prokuroria. Nuk kam ndërhyrë.

Nuk kam ndërhyrë as në procesin e gjykimit të elementëve të masës së sigurisë.

Po të kisha ndërhyrë, edhe hetimi do ishte ndryshe edhe vendimi do ishte ndryshe”, përfundoi Braçe.

Prokurori i çështjes, Arjan Ndoja, nuk është shprehur ndërkohë.

Në fillim të muajit, Prokuroria urdhëroi arrestimin e Lusiena Kolës, përgjegjëse e sektorit juridik në ASHK-në e Durrësit.

Më pas urdhëroi edhe arrestimin e Liridon Pulës, i cili mbante postin e drejtorit.

Prokuroria ka bërë po ashtu  shpalljen në kërkim të ish-kreut të agjencisë së legalizimeve.

Pula, ashtu si edhe Kola, akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas Prokurorisë, kanë regjistruar dhe lëshuar certifikata pronësie në një prej fshatrave turistikë në Gjirin e Lalzit.

Në dokumentin e Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Kolës bëhet me dije se ajo kishte kryer procedura për regjistrimin e pronës “në emër të subjektit investitor ndërtues Lura sh.p.k”.

Prokuroria pretendon se regjistrimet janë bërë në shkelje të ligjit dhe me gabime.

“Ka rezultuar gjithashtu se sikurse në librat ku bëhet regjistrimi manualisht, edhe në kartelat e pasurive për të cilat janë lëshuar certifikata e pronësisë, nuk janë shënuar kufizimet përkatëse sipas kontratave që janë lidhur me pronarët e truallit, kusht ky i kërkuar shprehimisht nga Ligji Për Kadastrën”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurimit ndaj Kolës.

Të dy zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës mohojnë akuzat.

Zv.kryeministri Braçe tha se akuzat ndaj tyre ishin të pabazuar në prova.

Ai tha se pronat ishin regjistruar siç kërkohej prej ligjit dhe se për këtë nuk kishte ankesë as nga investitori, as nga pronarët e truallit dhe as nga shteti.

Ai po ashtu tha se përndryshe nga sa pretendoi prokurori, kufizimet e pronave të zotëruesve të truallit ishin shënuar në dokumentet e regjistrimit, ashtu siç ishin edhe të parashikuara në kontratat e sipërmarrjes.

Braçe akuzoi prokurorin e çështjes se arrestimi ishte vijim i një presioni kriminal ndaj Pulës.