VALENTINA MADANI/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi dje në një intervistë për “News 24” se tre ministra të qeverisë kanë zbarkuar së fundmi në Sarandë pas sondazheve që e nxjerrin PS-në humbëse në këtë bashki.

Sipas saj, përveç Blendi Klosit, që është i deleguar i PS-së, së fundmi po bëjnë fushatë edhe Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro.

“Rama vërtetoi atë që kam thënë para disa ditësh që jo vetëm do të humbë në Sarandë, por PS rrezikon të dalë forcë e tretë. Kandidati i pavarur i socialistëve të vërtetë do të dalë forcë e dytë në Sarandë. Sondazhet e Ramës konfirmojnë atë që kam thënë pak javë më parë. Realiteti është i hidhur në Sarandë, nuk pranojnë dot një njeri të importuar që nuk e njeh qytetin. Një nga planet më makabre nëse do të fitojë kandidati i PS-së Olti Çaçi është zhvendosja e varrezave të qytetit për t’ia lënë atë tokë oligarkëve për ndërtim. Socialistët nuk e pranojnë këtë kandidat. Mërkuri ka qenë kryetar i PS-së në Sarandë, ka punuar me mish e me shpirt për socialistët. Rama në Sarandë nuk tha asnjë fjalë të keqe as për kandidatin tonë, as për të pavarurin, por vetëm u përgjërua”, deklaroi deputetja e PD-së.

Ina Zhupa denoncoi se ministrja Belinda Balluku po ushtron presion mbi administratën për të mbledhur sa më shumë vota në favor të Partisë Socialiste.

“Gjithë mekanizmat shtetërorë janë përqendruar në Sarandë. Balluku ka zero lidhje origjine, apo familjare me Sarandën, Konispolin apo Finiqin. Ajo është drejtuese politike në Dibër dhe vjen e bën fushatë në Sarandë vetëm e vetëm se u kanë dalë humbës kandidatët e tyre. Vjen këtu që të lërojë thesin e mashtrimeve dhe duke qenë se është me shumë poste, ofron poste por edhe kërcënon që punonjësit të bëhen kamikazë të PS-së për fitoren e Olti Çaçit. Ata janë të gjithë prezentë. Sot kishte ardhur edhe Kumbaro. Jo një ministre të sjellin, por gjithë qeverinë ta sjellin, ta harrojnë se do ta fitojnë Sarandën, Konispolin apo Finiqin. Në Delvinë kanë sjellë policinë e shtetit dhe bëjnë presion për kushëririn e Ardi Veliut. Ata edhe gjithë policinë të sjellin atje, Delvinën nuk e marrin dot. Janë llogari të bëra vetëm me idenë që presioni i pushtetit do ti trembë njerëzit. Vota këtë herë do të jetë votë referendumi, kundër vjedhjes, keqqeverisjes. Kandidatët e PS-së, janë kukulla si rrjedhojë e klaneve të ndryshme brenda PS-së”, u shpreh deputetja e PD-së.

Para pak ditësh Ina Zhupa në një intervistë për “Panorama TV” tha se vendosja e Belinda Ballukut në krye të Task-Forcës që do monitorojë socialistët që të mos përdorin administratën për zgjedhje është shkelje nga ana e qeverisë. Zhupa tha se në këtë fushatë zgjedhore për 14 majin, po qeveria Rama po shkel kodin elektoral pasi kryeministri e ka angazhuar dhe administratën publike me kërcënimin se do largohen nga puna në rast mospjesëmarrje. Ajo shtoi se posterat e Kryeministrit në çdo cep të kryeqytetit po ashtu është një tjetër shkelje, si dhe Rama po përdor çdo formë joligjore për të goditur kundërshtarët.

“Organi kryesor që shkel ligjin dhe e përdor administratën është pikërisht qeveria. Ngritja e një TaskForce nuk do të thotë asgjë më shumë se centralizimi, mjafton të shikoni sot mesazhet e dala nga Blendi Klosi, që administrata të merrte parasysh votat që do të dilnin. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit, dhe Kodit elektoral. Edi Rama ka angazhuar nga administrate publike. Takimet bëhen të gjitha me detyrim, ndryshe pushohen nga puna”, theksoi Ina Zhupa.

Sipas saj: “Po të lexoni raportin e ODIHR, një nga problematikat ishte pikërisht përdorimi i gjuhës së urrejtjes që i bënte personazheve politike. Frika që ka Rama e bën të përdorë çdo formë joligjore. Slogani i Ramës është autogoli i tyre, pasi kandidatët tanë janë zgjedhur nga qytetarët dhe i përgjigjen kërkesave të tyre”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re