Luçiano Boçi ka denoncuar se banorëve të Elbasanit po i zhvaten çdo ditë 25 euro për shkak të abuzimeve me incernatorin e Elbasanit.

Në një deklaratë për mediat, Boçi akuzon kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja dhe sipas tij  duhet të ishte i akuzuari kryesor.

Boçi ka paralajmëruar se ai dhe Partia Demokratike së bashku me grupin e ekspertëve, do të nisim shumë shpejt një tjetër kallëzim penal për Inceneratorin e Elbasanit.

Deklarata e plote

Dje në emisionin investigativ PLUG u bënë publike disa fakte shumë të rënda në lidhje me Inceneratorin e Elbasanit.

Kjo aferë korruptive i ka kushtuar buxhetit te shtetit 27 milionë euro.

Në janar të vitit 2022, Gledian Llatja mori në administrim këtë karakatinë duke siguruar qytetarët e Elbasanit se impianti punon dhe se aty do përpunohen mbetjet.

Kam denoncuar publikisht disa herë atë karakatinë dhe po publikisht kryetari i Bashkisë Elbasan ka përgënjeshtruar, duke u shprehur se inceneratori është në punë.

Faktet flasin ndryshe.

Sipas përgjigjeve zyrtare të kompanisë ECO ELB dhënë emisionit PLUG në shtator të vitit 2023, Inceneratori i Elbasanit ka prodhuar vetëm 75.9 MëH që nga momenti i marrjes në dorëzim.

Sipas të dhënave të kartës teknologjike të impiantit kjo përkthehet në 29.4 orë pune ose 1.23 ditë.

Pra, në 660 ditë administrim nga Bashkia Elbasan ai impiant ka punuar vetëm 1 ditë.

Për të mbuluar këtë aferë sigurisht zgjidhja ishte vënia e zjarrit për të cilin dhe sot nuk ka asnjë fajtor.

21 milionë euro të vjedhura nga kjo Strukturë Kriminale dhe asnjë nga fajtorët kryesore nuk ëshrë vënë para drejtësisë.

Gledian Llatja sot duhet të ishte i akuzuari kryesor pasi ishte firma e tij që pranoi këtë karakatinë. Ai u merr sot dhe çdo ditë qytetarëve të Elbasanit 25 euro për ton për depozitimin e mbetjeve. Edhe pse impianti, siç shprehen ata vetë, është në remont prej 2 vitesh.

Partia Demokratike, dhe unë personalisht, së bashku me grupin e ekpertëve, do të nisim shumë shpejt nje tjetër kallëzim penal për Inceneratorin e Elbasanit.

Prokuroria që deri dje mbrojti të gjithë fajtorët sot nuk do mundet më.

Nga Edi Rama e deri te Gledian Llatja do të mbajnë përgjegjësi për këtë aferë që filloi me firmosjen e kontratës por vazhdon me vjedhjen e qytetarëve të Elbasanit.

Incineratori i Elbasanit nuk djeg mbeturina, por para të taksapaguesve dhe qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë

SPAK duhet të lëvizë dhe të thërrasë, të hetojë dhe të cojë para drejtësisë zhvatësit e pasurive publike.

Në vend të gjuetisë së shtrigave kundër opozitës dhe liderit të saj, duhet të bëjë detyrën për të cilën është ngritur: hetimin e krimit dhe dënimin e kriminelëve të veshur me imunitet qeveritar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re