Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia ka denoncuar se edhe spitali i Pukës është kthyer në vatër infeksioni me COVID-19.
Sipas tij, prej 3 ditësh në këtë spital është konstatuar një pacient me Covid. Pacienti ka shkuar si rast urgjent dhe është shtruar nga shefja e shërbimit të Urgjencës në repartin e Patologjisë, ku ka qëndruar rreth 11 orë, pa respektuar protokollin e sigurisë për pandeminë.
“Pasi ka rezultuar pozitiv nga testi që i është kryer është dërguar në Tiranë. Denoncimi vjen nga personeli shëndetësor i shqetësuar për vete, për pacientët e shtruar në këtë spital, 8 të tillë, si dhe për pacientë të tjerë që vazhdojnë të paraqiten sipas nevojës. Asnjë karantinim nuk është realizuar dhe nuk ka transparencë për numrin e tamponëve të kryer!!!
Pra neglizhenca skandaloze e mosrespektimi i protokollit të sigurisë e kthen këtë spital të vatër infeksioni dhe as nuk u vihet veshi personelit shëndetësor, as merren masa mbrojtëse e parandaluese, por fshihet si informacion, që do sillte minimumi një kujdes të shtuar nga pacientët, që vazhdojnë t’i drejtohen spitalit të Pukës.
Ministria e Shëndetësisë po provohet se është përgjegjësja kryesore e numrave në rritje të infektimeve, pasi janë institucionet shëndetësore publike ato, që po kthehen në vatra infektimi njëra pas tjetrës!!! Dështimi bëhet spektakolar, kur qytetarët kanë sakrifikuar duke respektuar izolimin total, teksa kërcënoheshin me gjoba e burgosje“, thuhet në denoncimin e Bardh Spahisë.
/shqip
