Skip to content

Departamenti i Shtetit: SHBA do të bëjë “gjithçka të mundshme” për të ndihmuar Turqinë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka deklaruar se SHBA-ja do të bëjë “gjithçka të mundshme” për të ndihmuar Türkiyen pas tërmeteve të fuqishme që goditën provincat jugore të vendit, raporton AA

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë, duke punuar drejtpërdrejt me qeverinë e Türkiyes, duke punuar përmes partnerëve të OKB-së dhe organizatave joqeveritare për të ofruar lehtësim kritik që njerëzit në vend kanë nevojë për momentin”, tha Patel për AA
Para së gjithash, tha ai, në emër të Departamentit të Shtetit dhe qeverisë amerikane “mendimet tona vazhdojnë të jenë me popullin e Türkiyes dhe Sirisë”.

Duke theksuar se SHBA-ja njoftoi 85 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare për Türkiyen dhe Sirinë pas tërmeteve, Patel tha se administrata e presidentit Joe Biden gjithashtu dërgoi menjëherë ekipe të reagimit ndaj fatkeqësive dhe shpëtimit në Türkiye.

“Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit, si dhe ofrimin e furnizimeve kryesore, ujit, kujdesit mjekësor dhe ushqimit. Dhe, kjo është diçka për të cilën do të vazhdojmë të mbetemi thellësisht të angazhuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me qeverinë e Türkiyes dhe do t’i përgjigjemi nevojave të një prej aleatëve tanë më të rëndësishëm të NATO-s”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

I pyetur nëse SHBA-ja po shqyrton ndihmën e mëtejshme për Türkiyen, përfshirë ndihmën për rindërtimin e qyteteve, Patel tha se nuk ka “ndonjë program për të shpallur sot”.

Në përgjigje nëse SHBA-ja do të përshpejtojë procesin e vizave për viktimat, ai tha se, “Ne po shikojmë numrin e linjave të përpjekjeve për të bërë gjithçka që mundemi për të mbështetur popullin e Türkiyes në një kohë shumë të vështirë tani, por nuk kam ndonjë program të ri për të shpallur sot”.

I pyetur nëse sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, po mendon të vizitojë Türkiyen pas tërmeteve, Patel tha se vazhdojnë të qëndrojnë në “kontakt të ngushtë” me partnerët turq për këtë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe Blinken javën e kaluar zhvilluan biseda telefonike me homologët e tyre turq.

“Ne do të vazhdojmë të mbetemi shumë të përqendruar në mbështetjen e popullit dhe qeverisë së Türkiyes në këtë kohë nevoje”, tha Patel.

Duke theksuar se tani fokusi është në përpjekjet e kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës, Patel tha se, “Ne kemi zyrtarë të qeverisë amerikane në terren në Ankara, në Adana dhe në Adıyaman, duke punuar drejtpërdrejt me ekipet e reagimit të urgjencës”.
Burimi: AA