Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka folur sot për herë të parë në lidhje me deportimin e shtetasit turk, Harun Çelik. I ftuar sot në mbrëmje në emisionin “Kapital”, në Vizion Plus, Lleshaj u shpreh se Çelik nuk ka dorëzuar ansjë dokument zyrtar të dorëzuar tek autoritetet për të përfituar azil politik.

Më tej ministri sfidoi dhe avokatët e Çelik që ta provojnë diçka të tillë në gjykatë, pasi u shpreh i bindur se nuk ka pasur ansjë kërkesë zyrtare.

“Jam informuar për këtë rast nga media sepse policia nuk merr leje tek ministri për të vepruar. Pastaj jam interesuar dhe kam parë që rasti është qartësisht i amplifikuar nga media. Ai ka qenë në kushtet e paligjshmërisë së plotë. Nuk ekziston asnjë dokument që të provojë që ai ka aplikuar për azil. Avokatët e tij, për fat të mirë Shqipëria është një vend i lirë ku ka gjykata, dhe mund ta provojnë këtë. Kërkesat për azil nuk janë verbale, por janë të shkruara. Ka jo një, jo dy, jo 10, jo 100, por mijëra qytetarë shqiptarë që dëbohen nga shtetet e tjera për arsye të ndryshme.”, tha Lleshaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re