Të gjithë ndihen keq herë pas here, por në shumicën e rasteve ndjenjat negative zgjasin vetëm disa ditë dhe largohen vetë. Depresioni është i ndryshëm. Ai pengon jetën tuaj të përditshme dhe e bën më të vështirë të bëni gjërat që doni.

Ka shumë shenja të depresionit, por mund të mos i keni të gjitha. Sa intensive janë dhe sa kohë zgjasin, janë të ndryshme nga personi në person.

Disa nga mënyrat që mund të ndiheni janë:

  • I trishtuar ose i shqetësuar: Kjo gjendje do të vazhdojë me kalimin e kohës pa u përmirësuar apo larguar.
  • I pafuqishëm  ose fajtor: Mund të ndiheni keq për veten ose jetën tuaj, ose mund të mendoni shumë për humbjet ose dështimet.
  • I pashpresë. Ju mund të jeni pesimistë ose të besoni se asgjë e mirë nuk do të ndodhë kurrë.
  • I nevrikosur. Mund të jeni të shqetësuar ose më të nevrikosur se zakonisht.
  • Më pak interes për aktivitete: Hobi ose lojërat që ju pëlqejnë zakonisht mund të mos ju tërheqin. Ju mund të keni pak ose aspak dëshirë për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të ditës.
  • Më pak energjik:. Mund të ndiheni jashtëzakonisht të lodhur ose pa energji. Rutinat dhe detyrat e përditshme mund të duken shumë të vështira për t’u menaxhuar.
  • Probleme me përqendrimin: Mund të jetë e vështirë të përqendrohesh. Gjëra të thjeshta si leximi i një libri ose shikimi i një seriali mund të jenë të vështira. Ju mund të keni vështirësi të mbani mend detajet. Mund të duket e vështirë për të marrë një vendim, qoftë i madh apo i vogël.
  • Ndryshime në cilësinë e gjumit: Mund të zgjoheni shumë herët ose të keni probleme për të fjetur. Mund të ndodhë edhe e kundërta. Mund të flini shumë më gjatë se zakonisht.
  • Ndryshime në oreks. Mund të hani tepër ose të mos ndiheni të uritur. Depresioni shpesh çon në shtim ose humbje peshe.
  • Dhimbje: Mund të keni dhimbje koke, ngërçe, stomak të shqetësuar ose probleme me tretjen.

Shkaqet

Ekspertët besojnë se depresioni është për shkak të kombinimit të disa faktorëve:

Struktura e trurit. Mënyra se si disa rrugë ose qarqe nervore në trurin tuaj dërgojnë informacione mund të mos funksionojnë siç duhet. Skanimet tregojnë se pjesët e trurit tuaj të përfshira në humor, të menduarit, gjumin, oreksin dhe sjelljen duken ndryshe kur jeni në depresion, por shkencëtarët nuk janë të sigurt pse.
Gjenetika: Shkencëtarët po studiojnë disa gjene që mund t’ju bëjnë më të prirur për të kaluar në depresion. Por, depresioni mund të ndodhë te disa njerëz edhe kur ata nuk e kanë atë përbërje gjenetike.

Depresioni mund të ndodhë në familje, por kjo nuk do të thotë që ju do të zhvilloni depresion vetëm sepse dikush me të cilin jeni të lidhur e ka atë.

Ngjarjet poblematike: Diçka shqetësuese ose traumatike që ju ndodh mund të shkaktojë depresion. Mund të jetë humbja e dikujt afër jush, një marrëdhënie e vështirë ose një situatë stresuese. Gjëra të tjera, si financat tuaja apo probleme të sociale. Por mbani mend, nuk duhet të ketë gjithmonë një “arsye” për depresionin tuaj. Ndonjëherë ndodh pa një shkak të qartë.
Problemet e fëmijërisë: Njerëzit që përjetojnë trauma në fëmijëri kanë më shumë gjasa të kenë depresion.
Shkaqe të tjera: Abuzimi me drogën ose alkoolin, sëmundjet, dhimbjet afatgjata, ankthi, problemet e gjumit mund të lidhen gjithashtu me depresionin.

 

Nëse mendoni se jeni në depresion, mos u përpiqni ta përballoni atë të vetëm. Flisni me mjekun tuaj. Shumë trajtime mund të ndihmojnë, duke përfshirë medikamentet kundër depresionit dhe terapi. Sigurohuni që të merrni mbështetjen që ju nevojitet nga familja, miqtë apo edhe një ndryshim i stilit të jetesës dhe ambjentit ku jetoni nëse është e mundur./ Webmd.com

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re