Në një kohë që Grupi i deputeteve që drejtohen nga Sali Berisha dhe Gazment Bardhi po bllokojnë punimet e Kuvendit, Grupi i Partisë Demokratike drejtuar nga Lulzim Basha, ka depozituar ditën e sotme (e martë, 07 Nëntor), pranë Kuvendit kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Kjo kërkesë vjen pas konferencës së mbajtur një ditë më parë mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij Giorgia Meloni, ku u njoftua se është arritur një marrëveshje me shtetin fqinj, Italinë për emigrantët.

“Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk ka pasur asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin”, shkruhet në tesktin e interpelancës.

Më tej thuhet, “me të drejtë opinioni publik është i shqetësuar pasi flukse të tilla njerëzore sjellin në mënyrë të logjikshme lëvizje të ekuilibrave social dhe ekonomik të zonave ku këta refugjatë do të vendosen. Po ashtu krijon pasiguri në kapacitetet e qeverisë shqiptare për të përballuar këtë fenomen pa krijuar probleme të sigurisë, stabilitetit ekonomik apo social të brendshëm.”

Në kërkesën për interpelancë, dorëzuar nga deputeti Kreshnik Çollaku, shpjegohet se gjithçka kërkohet me qëllim marrjen e informacionit.

“Për sa më lartë me qëllim marrjen e informacioneve dhe për të bërë transparencë, përpara qytetarëve shqiptarë të arsyeve që kanë çuar Kryeministrin e Shqipërisë në këtë vetëofrim, pa asnjë konsultim publik, kur vendet europiane e kanë refuzuar atë, pavarësisht kapaciteteve për të menaxhuar këtë fluks emigrantësh, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe të nenit 96 pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama”, thuhet në tekstin e kërkesës drejtuar Kuvendit.

Lajmin e ka konfirmuar vetë deputeti Çollaku, i cili përmes një postimi në Facebook, shkruan se për të njëjtën çështje do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Në emër të Partisë Demokratike, depozitova kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për marrëveshjen e tij me kryeministren e Italisë, për vendosjen në Shqipëri të mbi 36 mijë emigrantëve nga Afrika e Veriut për çdo vit.

Bëjmë me dije se për të njëjtën çështje dhe objekt do t’i drejtohemi dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social.”, shkruan deputeti demokrat në postimin e tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re