Në një situatë të tensionuar në sallë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla hodhi në votim edhe katër projektligjet për tatimet dhe taksat që shoqërojnë projektbuxhetin, duke deklaruar miratimin e tyre me 83 vota, një shifër që më vonë u saktësua nga zyra e shtypit si 73.

Seanca zgjati vetëm disa minuta dhe nuk pati asnjë diskutim, ndërsa buxheti ishte shqyrtuar në komisionet parlamentare që kanë zhvilluar mbledhjet online dhe pa praninë e opozitës.

Opozita nisi protestën para orarit zyrtar të nisjes së seancës, duke zhvendosur karriget e deputetëve dhe duke tentuar të bllokojë foltoren, ulësen e kryetares dhe ato të ministrave, por një numër i shtuar i oficerëve të gardës në Kuvend ndaluan bllokimin e podiumit kryesor.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi antikushtetuese dhe të paprecedentë sjelljen e Gardës.

“Sot deputetët kanë qenë të rrethuar nga forcat e sigurisë sikur të ishim vend në gjendje lufte. E vetmja arsye se pse salla e Kuvendit ishte mbushur me forca të gardës, ishte se në sallë ishte kryeministri Rama,” tha Bardhi për mediat pas seancës.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi votimin e buxhetit një proces pa vlerë juridike.

“Nuk ka asnjë evidencë për votimin,” pretendoi Berisha.

Në një reagim në platformën X Kryeministri Edi Rama komentoi sjelljen e opozitës si “sjellje rruge” dhe “dhunë”.

“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur,” shkruajti ai direkt pas seancës plenare.

Deputetët e grupimit më të madh të opozitës prej disa javësh tentojnë të bllokojnë zhvillimin normal të komisioneve dhe seancave plenare si protestë për rrëzimin nga ana e mazhorancës të kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore për konçensionet në shëndetësi dhe rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re