VALENTINA MADANI/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku apeloi dje që PD t’i nënshtrohet një ndryshimi dhe të mos përsërisë sërish të njëjtat justifikime përballe rezultatit të zgjedhjeve vendore.

Tabaku theksoi se PD duhet të ishte e bashkuar në zgjedhjet vendore dhe se duhet që gabimet e të shkuarës të mos përsëriten më. Ajo theksoi se nuk duhet të vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime, por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan. “Kam pritur që numëruesit të mbaronin punën. Unë kam të njëjtin qëndrim që kisha që në fillim të shtatorit.

Kam bërë thirrje për të gjithë ata që janë në PD, pak rëndësi ka që mendojnë ndryshe, që PD duhet të ishte bashkë dhe të kishte ofertë të unifikuar. Kam bërë thirrje që secili prej nesh të mendonte më shumë se interesat e veta personale, kam bërë thirrje që PD të ndryshonte mendësinë, të ndryshonte ofertën, sjelljen”, tha ajo. Në një prononcim për mediat përpara nisjes së seancës plenare, Tabaku thekson se PD nuk është më e bashkuar dhe as parti e madhe, ndaj është momenti për reflektim të brendshëm. “Në këtë moment kam kërkuar të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan.

Nëse do kishim ndryshuar ofertën e PD do i kishim lënë vendin jo llumit, jo mllefit, jo sulmit, jo përçarjes por bashkimit dhe ofertës së PD në 1, situata do ishte ndryshe. “Ka ardhur momenti që të reflektojmë e të sillemi ndryshe. Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Duhet të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim. Të pranojmë që PD s’është as më e madhe, as më e bashkuar, as më e fortë se këtë treguan rezultatet.

S’mund të jemi refuzimi i shqiptarëve, por alternativa”, deklaroi deputetja demokrate. Në të njëjtën kohë, Tabaku komentoi dhe lidhur me dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i PD, duke thënë se këtë vendim nuk e priste. Megjithatë, Tabaku thekson se çdo vendim që do të pasojë ikjen e Alibeajt nga ky post do të diskutohet me kolegët demokratë. “Dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për mua, mbrëmë kam patur një takim me Gazment Bardhin, kemi diskutuar për këtë çështje”, theksoi Jorida Tabaku. PD humbi ndjeshëm në zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërsa në bashkinë më të madhe në vend u shpall forcë e katër.

Pavarësisht se në cilin grupim janë rreshtuar, deputetët e opozitës bien dakord njëzëri se humbja në zgjedhjet e 14 Majit dikton reflektim dhe bashkim në radhët e demokratëve, si e vetmja mënyrë për t’u kthyer në alternativë qeverisëse. Por ajo që i ndan është se cili do duhet ta drejtojë Partinë Demokratike pas disfatës në zgjedhje. Përfundimi i misionit të Alibeajt dhe dorëheqja e tij si kryetar i komanduar ka ndezur orekset e deputeteve që mbështesin Lulzim Bashën, i cili pritet të rikthehet në jetën aktive të Partisë Demokratike pas mbledhjes së forumeve drejtuese për riorganizimin e brendshëm dhe zgjedhjen e lidershipit të ri.

Mbështetësit e Berishës thonë se kërkesa për largimin e tij është përpjekja e radhës së Edi Ramës për ta fragmentarizuar edhe më shumë Partinë Demokratike. Teksa përplasjet në distancë dhe tentativat për bashkim e negociata mes radhëve të demokratëve vijojnë, Sali Berisha e ka bërë të qartë se nuk do të japë dorëheqjen, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të manipuluar e vjedhur nga makineria shtetërore e Edi Ramës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re