Në vitin 2018 deputetët kanë votuar Kodin e Sjelljes, një ligj me 34 nene, shumë prej të cilëve për atë që duhet të shfaqë deputeti në publik, detyra e tij, detyrimet dhe përfitimet.

Një prej neneve të këtij vendimi është ai me numër 23, ku flitet për dhuratat dhe përfitimet e tjera të ngjashme.  Kodi i Sjelljes parashikon që deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata me vlerë mbi 10 mijë lekë, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij.

Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë shërbimit përgjegjës në Kuvend.

Ndërsa udhëzuesi i detajuar për zbatimin e Kodit parashikon që deputeti, brenda 5 ditëve nga marrja e dhuratës njofton Byronë e Kuvendit për pranimin e dhuratës, duke specifikuar në  veçanti emrin e dhuruesit, datën dhe rrethanat e marrjes së dhuratës, vlerën e përafërt, si dhe një përshkrim të shkurtër të saj.

Deklarimi i dhuratës bëhet sipas një formulari të posaçëm. Që nga hyrja në fuqi e Kodit të Sjelljes dhe udhëzimit të detajuar, asnjë nga deputetët nuk ka deklaruar dhurata.

Sipas Kodit të miratuar në Kuvend, deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë shërbimit përgjegjës në Kuvend për administrimin e objekteve me vlerë, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit; b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhet me kryerjen e një vepre penale, deputeti bën kallëzim pranë organit të ndjekjes penale.

Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale ose historike administrohen në institucion dhe ekspozohen. Ndërsa dhuratat që deputeti merr nga anëtarët e familjes, bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët e rritur, prindërit dhe të afërmit deri në shkallë të tretë nuk konsiderohen si dhuratë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re