Parlamenti i Katalonjës pritet të vendosë të shtunën për emërimin e Joaquim Torra si president i ekzekutivit rajonal, një indipendentist i zgjedhur nga Carles Puigdemont për të vijuar përballjen me Madridin.

I penguar nga drejtësia për të drejtuar sërish Katalonjën, Puigdemont u tërhoq për të kaluar në rolin e dëshmitarit, por pa hequr dorë gjithsesi nga influenca e tij politike, as nga sfida e nisur në drejtim të qeverisë spanjolle me deklaratën e dështuar të pavarësisë, më 27 tetor të vitit të kaluar.

Përzgjedhja e “Quim” Torra, 55 vjeç, është e drejtë, pasi ky rishtar në politikë, i cili nuk bën pjesë në radhët e një partie, është i vendosur për të vijuar sfidën me Madridin.

“Ky është një qëndrim i qartë për linjën e ashpër të indipendentizmit, që është shumë pak i prirur për të ecur drejt normalizimit politik”, u shpreh Oriol Bartomeus, pedagog i Shkencave Politike në Universitetin e Pavarur të Barcelonës. /ATSH

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re