Këtë të enjte, në Kuvendin e Shqipërisë, mjekët hynë përpara deputetëve.

Dezinfektimi u bë në çdo cep, teksa Garda e Republikës e paktë në numër, kontrolloi hyrjet e Kuvendit me maska dhe doreza. Media ishte larg portës kryesore të Kuvendit.

Deputetët hynë nga të dy krahët kryesisht larg njëri-tjetrit.

Shtrëngimet e duarve, tani u zëvendësuan me trokitjet e këmbëve. Nuk mungoi në këtë mbledhje as deputetja Antoneta Dhima, e cila kishte qenë në karantinë pasi i biri ju prek nga Covid-19.

Disa i kishin marrë maskat që në shtëpi. Ministri i Brendshëm erdhi i “armatosur” me mbrojtje të lartë nga virusi, e si përherë më shpurën e tij të gardistëve.

Por, jo të gjithë ministrat kanë vigjilencën e Lleshajt. Për ata që hynë në Parlament të pamaskuar, u kujdes administrata.

Deputetët qëndruan në radhë për tu matur temperatura. Brenda në seancë, deputetët u ulën larg njëri tjetrit dhe u shpërndanë dhe në llozhat anësore.

Kishte edhe nga ata që ishin kujdesur të zgjidhnin maska estetike, me ngjyra të ndryshme, madje edhe të personalizuara, me inicialet e tyre, si Halit Valteri i opozitës.

Kryetari i Kuvendit ishte mjaftuar vetëm me mbajtjen e dorezave.

Kryeministri erdhi me vonesë. Nuk kishte veshje mbrojtëse, çfarë nuk u la pa u vënë në dukje nga Kujtim Gjuzi.

“Të gjithë i vesh me maska, ndërkohë që vetë nuk e vendos maskën”, tha Kujtim Gjuzi”.

Herë pas here, deputetët dolën në oborr për të shijuar diellin.

Gjithsesi, disa deputetë të opozitës, kryesisht ata që kanë sëmundje kronike,  munguan në Kuvend, pasi kishin frikë nga infektimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re