Kreu i komisionit të ekonomisë, deputeti Erion Braçe, u ka dhënë një ofertë origjinale të gjithë atyre që kanë zotëruar biznese lojrash fati. Promovues dhe ai i idesë që ato duhet të mbyllen, ndër të parët denoncues të faktit se ato kanë ushqyer krimin e organizuar, Braçe tha se një zgjidhje për ta do qenë investimi në bujqësi.

 “I ftoj të ndërtojnë një fabrikë përpunimi produktesh në Divjakë. Kanë fitime miliona euro. Ky vend s’mund të ketë një industri miliona euroshe dhe të mos ketë bujqësinë. Iu bëj thirrje të mendojnë për një fabrikë prodhimi industrial. Do ishin të mirëpritur, do t’i mbështesnim edhe me taksa. Paratë e ndershme të shumëfishohen me djersën e ballit. S’mund të ketë më qytetarë të varur. Paraja e akumuluar nga krimi i organizuar do të jetë objekt hetimi pasuror, edhe fiskal, por jo për xhepat e banditëve”, tha deputeti socialist gjatë një interviste televizive.

Një ditë më parë, komisioni i ekonomisë që Braçe drejton, miratoi projektligjin e mbylljes së kazinove dhe basteve, i cili pritet të marrë miratimin dhe në parlament, për t’u jetësuar më pas që nga 1 janari 2019.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re