Deputeti britanik në Parlamentin Evropian (PE), Wajid Khan, tha se ndodhitë në Arakan të Mianmarit janë shembulli më i qartë i “spastrimit etnik” dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të jetë e pandjeshme ndaj kësaj. Ai theksoi se “Gjaku i qytetarëve të Arakanit nuk është më i lirë se i evropianëve”.

Khan i cili ka vizituar kohët e fundit kampet e refugjatëve të Arakanit në rajonin Cox Bazar të Bangladeshit, ka bërë një vlerësim për Anadolu Agency (AA).

Khan theksoi se më shumë se një milion refugjatë janë detyruar të lëvizin nga Arakani në Bangladesh që nga fillimi i krizës njerëzore, duke vënë në dukje se, “27 mijë fëmijë jetimë dhe 60 mijë gra shtatëzanë luftojnë për mbijetesë në Cox’s Bazar. Është një situatë e trishtuar dhe e pakëndshme të jesh dëshmitar i situatës me të cilën po përballen qytetarët e Arakanit”.

Pasi ka tërhequr vëmendjen mbi aktivitetet e institucioneve të ndihmave humanitare, Khan tha: “Kam vënë re se në kampet në Bangladesh janë jashtëzakonisht aktive institucionet turke të ndihmave të cilat janë të parat që kanë mbërritur në rajon për t’u ardhur në ndihmë qytarëve të Arakanit”.

– “Ndodhitë në Arakan një shembull i hapur i “spastrimit etnik”

Masakrat e qeverisë dhe të ushtrisë së Mianmarit kundër banorëve të Arakanit duke i cilësuar si “gjenocid”, Khan thotë se, “Ndodhitë në Arakan janë një ‘shembull i hapur i spastrimit etnik‘. Është për të ardhur keq kur shihet që një shtet në shek 21. masakron popullin e tij vetëm pse ai nuk është budist dhe se vetëm pse janë muslimanë”.

“Ne jemi dëshmitarë të tragjedisë më të madhe njerëzore që nga përjetimet në Ruanda në vitin 1995”, tha Khan duke tërhequr vëmendjen se ministrja e Jashtme dhe ministrja e Shtetit përgjegjëse për Presidencën e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është përgjegjëse për masakrat në fjalë.

Parlamentari britanik tha se tabloja aktuale në Arakan përbëhet nga njerëz që përballen me tortura, gra të përdhunuara dhe fshatra të djegura. Ai ka theksuar më tej se, “Duhet të ketë sanksione për këtë krim njerëzor. Është kusht që të nxirren përballë Gjykatës Penale Ndërkombëtare përgjegjësit për shkak të krimeve që kanë kryer kundër njerëzimit”.

– “Gjaku i qytetarëve të Arakanit nuk është më i lirë se i evropianëve”

“Në të vërtetë si qytetar i botës, ne të gjithë në këtë çështje jemi të ngarkuar me një obligim. Këtu dëshiroj të tërheq vëmendje veçanërisht për përpjekjet e bëra nga populli turk”, tha Khan duke bërë të ditur se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë mesazhin Mianmarit “Nuk do të mbetet pa përgjigje e gjithë mizoria që keni kryer në Arakan”.

“Gjaku i qytetarëve të Arakanit nuk është më i lirë se i evropianëve. Qytetarët e Arakanit më shumë se ndihmës humanitare dëshirojnë që t’i jepet fund persekutimit të tyre”, tha eurodeputeti britanik Khan, duke shtuar se duhet të ngrihemi në këmbë kur një person persekutohet pavarësisht se në cilin vend të botës ai ndodhet.

– “Si një baba, më kanë plagosur shumë këto histori”

Duke shpjeguar se është përballur me histori shumë të dhimbshme gjatë vizitës së tij nëpër kampe, Khan tha se, “Më bëri vërtetë të trishtuar historia e një gruaje që kishte udhëtuar për 15 ditë për të arritur në kampet e refugjatëve në Bangladesh, dhe e cila ka humbur fëmijët e saj kur ata po kalonin detin. Kam dëgjuar shumë histori kur gratë janë detyruar të lindin nëpër brigjet e detit. Si një baba me fëmijë të vegjël, më kanë plagosur shumë këto histori”.

Kur pyeta një fëmijë 12 vjeç në kamp në lidhje me pritshmëritë për të ardhmen, përgjigjja që mora ishte “E ardhmja ime është plotësisht një errësirë”, tha Khan.

– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit nga Kombet e Bashkuara (OKB), numri i muslimanëve të Arakanit të cilët nga 25 gushti i vitit të kaluar kanë ikur në Bangladesh si pasojë e dhunës në Mianmar, ka arritur në 655 mijë. Supozohet se në vitet 1970, në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë dhe si pasojë e largimit nga sulmet sistematike, ky numër ka rënë në 350 mijë.

Nga ana tjetër, pamjet satelitore nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, tregojnë se në rajon janë djegur mbi 350 fshatra të muslimanëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re