Helidon Bushati

Drejtuesi politik i PD në SHkodër dhe deputeti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, ka kërcënuar gazetarin Ergys Kavaja.

Kavaja, i cili mbulon lajmet për në qarkun e Shkodrës, shkruan se mesditën e sotme ka marrë një telefonatë nga Bushati, i cili pa e përshëndetur ka nisur ta kërcënojë me jetën e familjarëve të tij dhe e ka ofenduar.

Sipas Kavajës, “çmendurinë” e Helidon Bushatit e kanë sjellë lajmet që ai ka publikuar në Shqiptarja.com dhe EETIMES, media për të cilat gazetari punon.

Në një prej shkrimeve të Kavajës thuhet se demokratët në Shkodër nuk morën aq mandate sa kërkuan dhe për rrjedhojë humbën shumicën në bastionin e tyre.

“Dua të denoncoj publikisht dhe pa asnjë rezervë sjelljen kërcënuese, fyese dhe denigruese të drejtuesit Politik të PD në Qarkun Shkodër Helidon Bushati ndaj personit tim!

Sot në drekë mora një telefonatë nga deputeti i zgjedhur i Shkodrës Helidon Bushati, i cili nuk më lejoi as ta përshëndesja, pasi vijoi me një lum fyerjesh banale dhe kërcënime për mua dhe familjen.

Në 15 vite si gazetarë në Shkodër jam përballur me shumë ngjarje, zhvillime apo personalitete të politikës me të cilët kemi pasur edhe mendime të kundërta por asnjëherë dhe askush nuk ka guxuar të mbërrijë në kërcënime për mua dhe familjen time!

Nuk e kam ndërmend të stepem dhe të anashkaloj asnjë sjellje të tillë e cila nuk i shkon aspak për shtat staturës së një drejtuesi Politik dhe deputeti të një qyteti si Shkodra.

Vetëm dy ditë më parë ishte dita e lirisë së medias e unë zgjedh gjithmonë të jem i lirë pavarësisht çdo kostoje. Nëse dikujt nuk i pëlqen kjo atëherë e ftoj të përballemi në rrugë ligjore.

Më poshtë po publikoj materialet që kanë sjellë “çmendurinë” e Helidon Bushatit.

https://eetimes-tv.com/…/video-gazetarja-nxjerr…/”, shkruan gazetari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re