Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar nga institucionet që të bëhet një zgjidhje për banorët e Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë, pasi thotë se ata janë lënë anash si në pajisje me dokumentacion, si në punë dhe shërbime të tjera.

“Në çdo shtet, nëse një banor jeton për 5 vite i mundësohet shtetësia, i mundësohet të jetë i barabartë në atë vend ndërsa bashkëkombësit tanë gati për 20 vite nuk gëzojnë kurrfarë statusi, në një farë mënyrë jetojnë ilegalisht në Kosovë pa ju dhënë e drejta as në punë dhe as në çështje të tjera që janë jetësore për ta”, tha Isufi.

Ai kërkoi që të ketë lehtësira për këta qytetarë.

“Vërtetë është e patolerueshme që këta banorë të terrorizohen në këtë mënyrë duke mos pas të drejtë as në dokumente por as në punë, dhe shërbime tjera që i ka obligim ky shtet”, tha Isufi.

Në maj të vitit të kaluar, gjatë një tubimi parazgjedhor në Gjilan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, premtoi shtetësi për shqiptarët e tri komunave nga jugu i Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re