Ministria e Jashtme greke deklaron se çështja e rrethanave të vrasjes së minoritarit Konstandinos Kaçifas është në qendër të vëmendjes. Përgjigja e ministrisë së Jashtme greke që drejtohet nga Dendias, erdhi pas kërkesës së një deputeti të shumicës qeverisëse, Maximus Charakopoulos.

Deputeti i partisë në pushtet dhe kryetari i Komisionit të Përhershëm për Administratën Publike, Rendin Publik i paraqiti një kërkesë me disa pyetje mbi këtë temë.

“Autoritetet shqiptare duhet të ndalojnë pengimin dhe sqarimin e rrethanave të vrasjes së Kacifas. Nuk është e mundur që një vend që kërkon të bashkohet me familjen evropiane të mos marrë parasysh parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Tirana duhet të kuptojë që procesi i pranimit në BE nuk është i vetëkuptueshëm, por presupozon respektimin e rregullave të respektit absolut të të drejtave të njeriut, si dhe respektimin e të drejtave të Pakicës Kombëtare Greke” shkruante ndër të tjera deputeti.

Në përgjigjen e tij, ministri Dendias thekson se “që nga tetori 2018 jam duke monitoruar nga afër çështjen dhe duke e ngritur atë me partnerët ndërkombëtarë. Ishte e qartë se autoritetet shqiptare kanë vonuar ndjeshëm përfundimin e hetimit për këtë çështje.

Ky është një kusht i domosdoshëm për të rivendosur ndjenjën e tronditur, ndërsa do të kontribuojë gjithashtu në përmirësimin e klimës në marrëdhëniet tona dypalëshe me Tiranën.

Sqarimi i plotë i kësaj çështje lidhet drejtpërdrejt me funksionimin efektiv të shtetit ligjor në vendin fqinj, i cili është një faktor vendimtar në procesin e tij të pranimit” ishte ky reagimi i ministrisë së Jashtme greke. Konstandinos Kaçifas u ekzekutua dy vite më parë në Bularat në një përplasje me RENEA-n, pasi hapi zjarr kundër efektivëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re