Deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj ka reaguar pas përplasjes me ligjvënësin demokrat, Bledjon Nallbatin, në Parlament gjatë seancës së djeshme (30 Tetor).

Sinaj deklaroi se e ka falur deputetin opozitar, i cili e goditi me grusht, duke shtuar se nuk do ta denoncojë.

Por theksoi se do të jetë pjesë e grupit të PS nëse merret ndonjë vendim. Deputeti socialist tregoi se Bledjon Nallbati i kishte thënë se “nuk e kisha me ty, por me kartën e votimit”.

“E kam falur. Do të jem pjesë e grupit të PS nëse merret ndonjë vendim, Por personalisht nuk do ta denoncoj Nallbatin. Ai më tha që e kishte me kartën e votimit jo me mua”, tha Vullnet Sinaj.

Gjithashtu edhe Bledjon Nallbati reagoi ditën e sotme teksa u shpreh shkurtimisht për mediat se ky incident nuk nderon askën dhe se Shqipëria ka halle më të mëdha që meritojnë vëmendje.

“Unë mendoj se Shqipëria ka halle më të mëdha që meritojnë vëmendjen e medias. Nuk mjafton që media të merret me një incident që nuk nderon askënd”, tha Bledion Nallbati.

 

Pas incidentit deputeti opozitar u përjashtua nga Parlamenti ndërsa seanca u ndërpre për disa minuta.

 

Ç’ndodhi në Kuvend

Kuvendi nisi dje me kaos për shkak të përplasjeve mes deputetëve. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli nisi seancën, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij bllokuan foltoren duke kërkuar që garda të dalë nga salla.

Jo vetëm kaq, por deputetët e PD-së nuk lejuan as socialistët që të merrnin fjalën nga vendi. Kjo solli përplasje fizike mes deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj dhe deputetit të “Rithemelimit”, Bledion Nallbati. Ky i fundit i fiku mikrofonin, ndërsa përplasja mes tyre degradoi deri në përplasje fizike. U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë dhe Gardës për të qetësuar situatën. Deputetit i opozitës Nallbani u përjashtua nga parlamenti ndërsa seanca u ndërpre për disa minuta.

Edhe pas rinisjes së seancës sërish deputetët demokratë nuk i lanë socialistët që të flisnin.

Deputetë të opozitës dhe mazhorancës replikuan me njëri-tjetrin, duke mos lejuar të marrë fjalën asnjëri. Përplasja mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës vijoi edhe në ambientet e jashtme të Kuvendit.

Ndonëse seanca plenare u ndërpre për shkak të akteve të dhunës, deputetët nuk mundën që të ulin tensionet as jashtë Kuvendit. Ndërkohë, Berisha bllokoi foltoren duke iu drejtuar publikut përmes rrjeteve sociale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re