Teksa në Kuvend janë duke u diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të propozuara nga ana e socialistëve dhe të kundërshtuara nga PD e LSI, si dhe një pjesë e opozitës në parlament, deputeti Alket Hyseni është shprehur se me fitimin e mandatit të tretë nga Rama, mund të ketë sërish ndryshime më ligjin elektoral.
Sipas Hysenit, PS ka qenë e detyruar që të vallëzojë treshe, duke plotësuar kërkesat si të opozitës në Kuvend, ashtu dhe të asaj jashtëpalamentare, e për këtë shkak ndryshimet në Kod, nuk ishin ato që socialistët do të donin.
“Ne u kemi thënë shqiptareve se ky Kodi nuk do të jetë i paprekshëm. Ne u detyruam të ‘vallëzojmë’ treshe edhe me opozitë brenda dhe atë jashtëparlamentarë, për të realizuar konsensusin, kjo ishte më e mira e mundshme e momentit.
Nuk jemi komod me këtë draft që do miratojmë, por ne u premtojmë shqiptarëve që pas zgjedhjeve kur ata të kenë ushtruar të drejtën e votës, kur sikurdo herë ata kanë ditur si të përcaktohen dhe të vendosin me votë masive se alternativa e shqiptarëve është Partia Socialiste, lidershipi i saj, Edi Rama, të cilin do marrin dhe një mandat të tretë.
Pas kësaj besoj se do u kenë rënë pendët edhe atyre që pretendojnë qiqra në hellë dhe do ulemi dhe do bëjmë një Kod të ri, i cili do t’i japë vendit, administratë apolitike, do i japë votuesve mekanizmat e kontrollit të sovranitetit të tyre dhe jam i bindur se do t’u japë dhe një strukture zgjedhore më këtë mirë dhe një proces të mirë dhe të ndershëm.
Unë ju ftoj ta votojmë me gjithë ndryshimet e amendamenteve. Humbja duhet të pranohet me dinjitet kur ti vij koha dhe të lexojnë votën e shqiptarëve sa herë të humbasin”, tha deputeti i PS.
Në fjalën e tij në nisje të seancës së sotme, kreu i Kuvendit Ruçi, tha se Kuvendi iu afrua maksimalisht propozimeve të palëve, dhe se socialistët më në fund po plotësojnë pritshmëritë e shqiptarëve.
Deklerata e Ruçit në Kuvend:
Të nderuar kolege dhe kolegë deputetë, Kjo seancë është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë, që nisi me ngritjen e Komisonit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në fillim të kësaj legjislature. Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri.
Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Kryesorja ështëse plotësuampritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre.
Standartet perëndimore mbi të cilat mbështetet legjislacioni dhe institucionet e zgjedhjeve që po miratojmë sot, janëtë përcaktuara nga rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman, dy udhëhartat kryesore nga të cilat udhëhiqet Kuvendi, si garantues i legjitimitetit dhe kontrollit politik e ligjor të rrugëtimit europian të Shqipërisë.
Askush nuk e kishte menduar se kjo ditë do të vononte kaq shumë, duke pasur parasysh se Komisionin për Reformën Zgjedhore e ngritëm që në fillim të legjislaturës.
Vonesa ndodhi, jo se nuk dëshiruam, por nuk mundëm. Miratimii reformës zgjedhore u vështirësua nga pengesa të paparashikuara. Por asgjë nuk e pengoi Kuvendin e Shqipërisë të ecë me vullnet e guxim drejt konkludimit të këtij procesi.
Nuk ishte e lehtë të arrinim deri këtu, duke harmonizuar alternativat e shumicës me opozitën parlamentare dhe opozitën jashtë Kuvendit.
Disa herë dhe për mjaft çështje, diferencat midis projekteve të opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare ishin më të mëdha sesa diferencat e tyre me projektet e shumicës qeverisëse.
Megjithatë, ju ftoj të shohim përpara. Ne as prisnim dhe as insistojmë të kemi konsensus politik për gjithshka. Në një republikë parlamentare, konsensusi i plotëdhe për gjithshka është vetëm një ideal, i cili në jetën reale realizohet si një konsensus parlamentar kushtetues.
Ligjet dhe vendimet që miratojmë sot nuk janë një produkt laboratori, por rezultat i një procesi politik e parlamentar real, që mbështetet në themele të forta kushtetuese.
Kuvendi është i bindur se përfitimet nga ligjet që miratojmë sot janë joproporcionale me kontributet në proces. Por këtë e pranuam me vetëdije, për hir të rikthimit në proces të opozitës jashtëparlamentare.
Si Kryetar i Kuvendit, sot i falenderoj të gjithë, si kontribuesit, ashtu edhe oponentët e këtij procesi dhe të këtyre produkteve.
Falenderoj Komisonin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Komisionin e Ligjeve, komisionet parlamentare, komisionet e tjera të ngritura nga Kuvendi si edhe gjithë deputetët për kontributin e tyre në këtë proces.
Falenderoj Këshillin Politik, i cili si një organizëm jashtëparlamentar, kontribuoi në këtë proces si edhe opozitën joparlamentare për hapin e parë të kthimit në sistem. Falenderoj opozitën parlamentare që pranoi sfidën e bashkëpunimit me opozitën jashtë-parlamentare.
Natyrisht, falenderoj shumicën parlamentare, e cila në këtë proces nuk u soll si triumfatore, por si një shumicë dorështrirë, e cila disa herë e vendosi me vetëdije veten në pozitën e negociatorit, madje edhe të opozitës.
Ju ftoj të gjithëve të votojmë pro ligjeve dhe vendimeve që janë në rendin e ditës të kësaj seance. Ju faleminderit.
…..
Kujtojmë se për miratimin e Kodit Zgjedhor kërkohet, shumicë e cilësuar votash për miratim, 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, që janë 84 vota, që Rama ka treguar që mund ti arrijë dhe me disa blerje nga radhët e opozitës parlamentare.
Për këto ndryshime Ramës do t’i mjaftonte Myslim Murrizi dhe grupi i tij, ndërsa i pari ka dhënë sinjale dakordësie që në Komisionin e Ligjeve, ku votoi pro në parim për ndryshimet pas tolerimeve të socialistëve për pragun natyral prej 1%, si dhe mundësinë që kryetarët e partive të mund të vetëkandidohen në katër qarqe të ndryshme dhe më pas të zgjidhen.
Nga ana tjetër anëtarët e tjerë të opozitës parlamentare, kujtojmë këtu Rudina Hajdarin, Ralf Gjonin apo Andi Përmetin janë shprehur kundër amendimeve që PS i ka bërë Kodit Zgjedhor, që sipas tyre shmang hapjen reale të listave, që ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre, si dhe bie ndesh me ndryshimet Kushtetuese që kaluan në Kuvend në 30 Qershor të këtij viti.
Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga ana e PD-së dhe LSI-së që ti drejtohen OSBE-OHDIR për koalicionet parazgjedhore, që kërkojnë ti mbajnë në fuqi, PS është treguar e palëkundur në këtë pikë, që duket se është dhe thembra e akilit dhe për ndryshimet Kushtetuese, që u diskutuan dhe u miratuan në një periudhë të shkurtër kohore.
Edhe pse nuk kanë drejtuar gishtin nga fajtori, selitë diplomatike në vendin tonë, nga ajo amerikane te ajo britanike e gjermanike, kanë kërkuar vazhdimisht që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e arritur në Këshillin Politik me negociimin e gjatë të Yuri Kim. Kjo e fundit duket se tashmë nuk mund ta thotë qartë se në fushën e kujt do të jetë topi, ndërkohë që në zvarritjet për të arritur te 5 Qershori bënte përgjegjës drejtpërsëdrejti asokohe Lulzim Bashën.
Kreu i qeverisë Rama tha dje në një komunikim për gazetarët se Kodi do të kalojë në Kuvend, dhe në rast se merr 84 votat e nevojshme, ai hyn në fuqi dhe askush nuk mund ta kundërshtojë, dhe të dalë mbi Kuvendin.
Mbetet për t’u parë seanca e sotme, nëse opozita që mbajti karriget në Kuvend, do të arrijë të jetë në lartësinë që e kërkon momenti, apo do të bëhet palë e pazareve të radhës, për të siguruar me formula qoftë edhe ndonjë mandat në zgjedhjet e ardhshme të Prillit. (E.K/Faxweb.al)
/faxweb