Deputeti Carlos Martens Bilongo, i cili u sulmua me fjalë raciste nga deputeti i ekstremit të djathtë Gregoire de Fournas në Asamblenë Kombëtare në fillim të muajit në Francë, tha se racizmi është krim e jo opinion.

Më 3 nëntor, fjalimi i deputetit me ngjyrë Bilongo nga partia La France Insoumise (LFI) në parlament u ndërpre nga fjalët “Kthehuni në Afrikë” nga Gregoire de Fournas nga partia e Unitetit Kombëtar (RN), me çka seanca u mbyll.

Kur u sulmua verbalisht nga racistët në parlament, Bilongo po mbante një fjalim që tërhoqi vëmendjen për situatën e 234 emigrantëve që u shpëtuan nga anija e ndihmës Ocean Viking, por që mbetën të bllokuar në Mesdhe për ditë të tëra për shkak të refuzimit të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) për t’i pranuar.

Në një deklaratë për (AA) në lidhje me çështjen që është diskutuar prej kohësh në vend, Bilongo theksoi se fjalët raciste në parlamentin e Francës e kanë zhgënjyer dhe pikëlluar shumë dhe tha se është thellësisht i mllefosur për këtë moment.

Duke theksuar se megjithëse Fournas mori dënimin më të lartë në aktet nënligjore të parlamentit, shumë qytetarë francezë e konsideruan dënimin të pamjaftueshëm.

“Kjo deklaratë raciste është e papranueshme. Racizmi është krim, jo ​opinion”, tha ai.

Deputeti francez Bilongo i vlerësoi fjalët e Fournas-it si fyerje për kombin francez në të njëjtën kohë.

Bilongo nënvizoi se po përjetohet një luftë në kontinentin evropian dhe se racizmi dhe ksenofobia duhet të eliminohen.

I pyetur nëse ai apo deputetë të tjerë i janë nënshtruar një sulmi të tillë më parë, deputeti francez u përgjigj: “Fatkeqësisht kam dëgjuar edhe më parë. Përveç mesazheve mbështetëse pas kësaj ngjarje të trishtë, jam fyer sërish me e-mail, postë, kanale të ndryshme në Twitter dhe të ngjashme”.

Edhe pse deputeti i ekstremit të djathtë Fournas, në deklaratën e tij për shtypin vendas pas incidentit, argumentoi se kishte pasur për qëllim njerëzit që ishin në anijen e emigrantëve e jo Bilongo-n, incidenti u diskutua për një kohë të gjatë në Francë.

Më 4 nëntor, Asambleja Kombëtare e Francës e dënoi Fournas-in me shkurtim dymujor të pagës së tij dhe përjashtim nga parlamenti për 15 ditë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re