Edhe pse jo jurist por ish-kryepolic, deputeti socialist Pjerin Ndreu ishte në Top Talk për të komentuar kërkesën e opozitës për një vetting në opozitë me anë të një procesi të posaçëm, jashtë reformës  në drejtësi dhe institucioneve të saj, si SPAK.

Ndreu shprehu atë që tashmë është promovuar nga kryeministri Rama, çuarjen e propozimit demokrat për vlerësim në Venecia.

“Për shkak se kjo çështje është sensitive, do kërkojmë mendimin e ndërkombëtarëve. Vettingu në politikë?! Po flasim për thashetheme. Kush e vërteton që një kontakt i imi është në marrëdhënie me krimin. Kush do ta provojë këtë. Sërish do të shkojmë para gjykatës. PS nuk i trembet fare kësaj nisme, është më e ashpër reforma në drejtësi nga ku del edhe SPAK, një institucion i mirëorganizuar”, citohet Ndreu nga TCH.

Sipas tij, SPAK e plotëson më së miri këtë kërkesë të opozitës, duke theksuar se variant demokrat u referohet thashethemeve lart e poshtë nëpër media.

“Ne e kemi strukturën, për çfarë do të shpikim një tjetër. Unë mbështes varianti që t’i çojmë në gjyq dhe t’i burgosim politikanët, ndërsa ata thonë që të merremi me llafe. Sot pushtetin numër 1 e ka disinformacioni. Disa politikanë kanë krijuar një tymnajë se të gjithë janë të zinj, e asnjë i bardhë dhe kjo arrihet me prova dhe jo me thashetheme”, theksoi Ndreu.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re