Deputeti Ralf Gjoni ka sulmuar nga foltorja e Parlamentit ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Duncan Norman.

Gjoni tha se ambasadori britanik tallet me qytetarët shqiptarë për kauzën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur sipas tij, vetë vendi i ambasadorit, Britania e Madhe, doli nga BE-ja.

“Kulmi i ironisë dhe kulmi i batutës dhe talljes me shqiptarët, e dini kush është? Ambsadori i Mbretërisë së Bashkuar! 

Ambasadori britanik del lartë e poshtë, shoku i Lulit dhe i Monës, del lartë e poshtë dhe flet për nevojën e integrimit. Po a ka turp më të madh. 

Vendi që doli nga Bashkimi Europian, përfaqësuesi i këtij vendi sot tallet me shqiptarët. Deri dje tallej me këtë Parlament sepse na konsideronte ilegjitim. 

Ju garantoj që Berlini dhe Parisi vënë duart mbi kokë teksa shohin që ambasadori i Londrës mbështet kauzën e integrimit. 

Ta gëzoni kauzën e integrimit që është thjesht një përrallë e bukur”, tha deputeti Ralf Gjoni.

Ai ndërkohë shtoi, se në të ardhmen do të ketë vrasje mafioze politike në Shqipëri si në Siçilinë e viteve ’70.

“Fija e dytë është kriminalizimi i politikës.

Është bërë shumë më keq sot, sepse influencojnë votimin këtu ne Kuvend dhe do të vazhdojnë që të ushtrojnë të njëjtën influencë në zgjedhjet e 25 prillit. 

Nuk ka votë të lirë më 25 prill, është një dhuratë që opozita e bashkuar ja ka bërë Edi Ramës. 

Kështu që bashkë do ti shërbejnë njëri- tjetrit për të siguruar vazhdimësinë pushtetit. 

Mbajeni mend por Shqipëria do të mbizotërohet nga vrasje mafioze politike si në Siçilinë e viteve 70“, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re