Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka debatin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Në një lidhje me studion e lajmeve të Vizion Plus, Kamberi tha se mbështet qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kërkoi arritjen e një marrëveshjeje bazë.

 

“Është mendimi i qartë dhe i kryeministrit të Kosovës dhe i qytetarëve që nuk duhet lejuar krijimi i bashkësisë “Srbska”, se do ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës. Megjithatë plani franko-gjerman është pranuar si platformë nga kryeministri Kurti dhe duhet të arrihet një marrëveshje që quhet bazë. Unë jam dakord me qëndrimin e kryeministrit Kurti dhe duhen zbatuar marrëveshjet”, u shpreh ai.

 

Më tej, ai deklaroi se Lugina e Preshevës duhet të përfshihet në dialog, pasi është një çështje që mund të nxisë tension në të ardhmen.

 

“Patjetër. Çështja e Luginës së Preshevës është një çështje që mund të nxisë në të ardhmen tensione mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse dy shtetet vendosin të shkojnë në rrugën drejt një marrëveshjeje bazë, duhet eleminuar në atë rrugëtim çfarëdo burimi tensioni. Prandaj Lugina e Preshevës është një ndër burimet e mundshme të tensioneve”, theksoi Kamberi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re