Home BOTA Deputeti ukrainas, Goncharenko bën thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës

Deputeti ukrainas, Goncharenko bën thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës

0
Deputeti ukrainas, Goncharenko bën thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka bërë thirrje nga Kuvendi i Kosovës që Ukraina ta njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës.

Goncharenko në një fjalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës garantoi se do të punojë për këtë njohje dhe çdo ditë “do ta bëjmë më të mirën që bashkë të shkojmë në Evropë me ju”.

“Ukraina duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur sepse ju luftuat për këtë. Do të bëj çfarëdo që mundem të iu ndihmoj në këtë. Kosova është Evropë, unë besoj në këtë dhe do ta përfundojmë bashkë këtë”, ka thënë Goncharenko para deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke shtuar se pavarësia e Kosovës përmbylli ëndrrën e Jugosllavisë derisa pavarësia e Ukrainës përmbylli ëndrrën e Perandorisë Ruse.

Ai tha se Kosova dhe Ukraina ndajnë vlera të përbashkëta ndërsa po ashtu janë bashkë për të kundërshtuar këdo që cenon këto vlera.

Goncharenko premtoi mbështetje të parezervë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, aty ku ka aplikuar gjatë vitit 2022.

Deputeti ukrainas alarmoi edhe një herë se duhet të ketë kujdes të shtuar pasi Rusia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Gjatë këtij muaji, Goncharenko i cili është anëtari i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë e Këshillit të Evropës (KE), ka bërë thirrje edhe gjatë mbledhjes së Asamblesë së KE-së, që Kosova të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës.

Deputeti ukrainas ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e KE-së dhe sipas tij, në këtë mënyrë Evropa do të jetë më e fortë.

Kosova e cila e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, është njohur nga 117 vende, ndërsa me gjithë thirrjeve nga krerë të institucioneve kosovare ndër vite drejtuar Ukrainës, ajo ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Burimi: AA

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë