Skip to content

Deputetja e PD-së paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Deputetja e PD-së, Elda Hoti është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Ligjvënësja demokrate mbërriti në ambientet e Prokurorisë paraditen e sotme mbi lëndën e lëngshme të paidentifikuar që hodhi mbi deputetët e PS gjatë seancës parlamentare të 17 Tetorit, që u shoqërua me tensione.

Policia referoi materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për deputeten Elda Hoti, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka pretenduar se demokratja u hodhi deputetëve socialistë benzinë, duke akuzuar Elda Hotin se rrezikoi jetën e tyre.

“Ke ardhur në Kuvend me benzinë me vete, dilni jashtë. DIl jashtë, ke rrezikuar jetën e kuvendit. Je e përjashtuar. Me ju do të merret SPAK”, tha Spiropali.

Më pas, kryeparlamentarja ndërpreu seancën duke u shprehur: “Po marr ankesa për shkak të një ere të rëndë, ndihet si era benzinë. Ndërpresim seancën për 10 minuta. Ju lutem verifikoni situatën”.

Por, ligjvënësja e PD-së deklaroi se ishte aromatizues duke shtuar “Le ta hetojë SPAK”.

“Ajo që hodhëm në Parlament nuk rrezikonte deputetët, ishte një aromatizues. Le ta verifikojë Prokuroria dhe SPAK, bëri kërcënim ndaj meje. Nuk trembem nga SPAK”, u shpreh Elda Hoti.

 

“”