Skip to content

Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana/ Policia plan masash, ja rrugët që bllokohen dhe itineraret e tifozerive

tirana

 

Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjes derbi ndërmjet ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”, e cila do të luhet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe shmangien e incidenteve, forcat e rendit kanë njoftuar kufizime të qarkullimit rrugor dhe itinerare të përcaktuara qartë për lëvizjen e tifozërive përkatëse.

Segmentet rrugore që do të bllokohen (Nga ora 16:00 deri në përfundim):

-Sheshi “Nënë Tereza”

-Rruga “Lekë Dukagjini”

-Rruga “Dervish Hima”

-Zonat dytësore përreth stadiumit “Arena Kombëtare”

-Itineraret e lëvizjes së tifozëve:

Tifozët e Partizanit (Tribuna N): Nisja nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, vijimi te “Libri Universitar”, anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për t’iu drejtuar sektorit përkatës.

Tifozët e KF Tiranës (Tribuna V–S): Nisja nga sheshi “Skënderbej”, te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthimi te ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari” dhe “Ambasador 3”.

Uniformat blu njoftojnë se nuk do të lejohet asnjë grumbullim apo shmangie nga itineraret e përcaktuara. Para hyrjes në stadium do të ushtrohen kontrolle rigoroze për parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike).

Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, pa të cilin nuk do të lejohet hyrja. Fëmijët nën 16 vjeç, edhe me biletë, duhet të jenë nevojisht të shoqëruar nga një prind ose kujdestar ligjor. Gjithashtu, hyrja do t’u ndalohet kategorikisht personave të identifikuar më parë nga policia si problematikë në aktivitetet sportive.