Shkupi-Vardar, është kjo ndeshja vendimtare e xhiros së fundit në kampionatin e Maqedonisë për pjesëmarrje ose jo të ekipit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Çairasit ndodhen para një momenti historik që kur e kanë ndryshuar emrin e klubit para 10 viteve, nga Slloga Jugomagnat në Shkupi, e asnjëherë nuk janë kualifikuar në ndonjërën nga turnetë evropiane. Ndërsa sot me një fitore eventuale do të kualifikohet në Ligën e Evropës.

Ndonëse Vardari tani e ka siguruar kualifikimin në Ligën e Evropës, Shkupi aspak nuk do ta ketë të lehtë fitoren meqë kjo ndeshje ngelet derbi i dy rivalëve më të mëdhenj të qytetit.

E veçanta e kësaj ndeshjeje është se shumica e futbollistëve shqiptarë që do të jenë në fushë janë duke  agjëruar.

Dhe kjo nuk është hera e parë që futbollistët e Shkupit zhvillojnë ndeshjet e tyre duke qenë nën agjërim. Më i përpiktë në këtë drejtim është kapiteni, portieri Suat Zendeli i cili shquhet si besimtar.

Nga ana tjetër Shkëndija e Tetovës do të marrë sot zyrtarisht titullin kampion të Maqedonisë, ndonëse prej javësh i ka mbyllur llogaritë me këtë kompeticion.

Kuqezinjtë do të presin Pelisterin në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa menjëherë pas saj ,do të organizohet edhe ceremonia e ngritjes së titullit.

Festa më pas do të zhvendoset në sheshin “Iliria” të Tetovës, që do të shndërrohet në kryeqendrën e shqiptarisë në mbrëmje.

Me pjesëmarrjen e Elita 5 dhe shumë këngëtarëve më në zë shqiptarë, pritet që festa e titullit për Shkëndijën të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes, nën një atmosferë spektakolare.

Skuadra kuqezi dominoi totalisht futbollin maqedonas, duke marrë titullin kampion edhe me skuadrat e moshave, ndërsa javën tjetër do të diskutojë finalen e Kupës poashtu kundër Pelisterit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re