Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga fshati Portëz në Fier, në kuadër të aksionit të vaksinimit në çdo komunitet, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë strukturave vendore për intenfisikimin më tej të vaksinimit antiCOVID.

Duke e konsideruar një detyrë qytetare, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vaksinimi derë më derë nga njësitë e lëvizshme do të intesifikohet në gjithë vendin.

“Plani ynë i cili tashmë kalon në këtë fazë të re, ku bashkë me të gjithë personelin shëndetësor, përfshihen edhe të gjithë drejtuesit lokalë, përfshihen administratorë të njësive administrative, përfshihen kryepleqtë, përfshihen ata që kanë kontakte direkte me komunitetin, i jep një vlerë të shtuar të gjithë këtij procesi.

Vaksinimi është një detyrë dhe përgjegjësi e të gjithëve, ashtu sikurse është një detyrë e të gjithë komunitetit që të kontribuojë dhe kujdeset për të gjithë ata të cilët ende nuk janë vaksinuar. Ne jemi në të gjithë vendin me personel të dedikuar për njësitë e terrenit, të cilët janë duke vaksinuar derë më derë nëpërmjet njësive të lëvizshme”, tha ministrja.

Deri tani në vendin tonë janë kryer 1,789,592 vaksinime, 828,940 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës ndaj COVID19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re