Një nga mozaikët më të rrallë të botës antike vijon të dergjet në katin nëntokë të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.

Gjatë riforcimit të objektit, mozaiku i Meandrit dhe rrënojat së bashku me pusin antik u gjetën në kushte të mjerueshme, ndaj specialistët apelojnë për zhvendosjen e mozaikut, për t’u bërë i vizitueshëm për publikun dhe për t’i shpëtuar degradimit të mëtejshëm.

Mozaiku i Meandrit apo mozaiku i Kryqit të Thyer u zbulua rreth vitit 2005, gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e një pallati 11-katësh pranë gjykatës së Durrësit. Pavarësisht rrënojave dhe mozaikut antik, Instituti i Arkeologjisë dhe autoritetet vendore, vendosën që pallati të ndërtohej dhe mozaiku të mbetej në katin nëntokë të tij.

Pas një dekade, i lënë në harresë, në fund të vitit 2015, mozaiku dhe rrënojat përreth tij u shpallën Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

I punuar në teknikën bardh e zi, mozaiku me simbolin e diellit në lëvizje, i përket shek I të erës sonë. Ai është dëshmi e besimit të banorëve të Durrësit të Lashtë, mënyrës së tyre të jetesës dhe ndërtimit gjatë periudhës romake.

Pas pastrimit të katit nëntokë, bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kanë kërkuar zhvendosjen e këtij mozaiku drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që ai të vizitohet nga qytetarët dhe turistët e shumtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re