Juan Vicente Perez Mora nga Venezuela, i cili në vitin 2022 u bë personi më i vjetër në botë sipas Librit të Rekordeve Botërore Guinness, vdiq dje, të martën, në moshën 114-vjeçare, njoftuan sot autoritetet dhe familja e tij.

“Juan Vicente Pérez Mora kaloi në përjetësi në moshën 114-vjeçare. Ky njeri nga El Cobre i dha Venezuelës rekordin e jetëgjatësisë që i atribuohet Rekordeve Botërore Guinness”, tha presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro në një postim në rrjetin social X.

Më 4 shkurt 2022, Juan Vicente Pérez Mora, atëherë 112 vjeç e 253 ditë, u njoh zyrtarisht si personi më i vjetër në planet, sipas faqes së internetit të Rekordeve Botërore Guinness.

Babai i 11 fëmijëve, Juan Vicente Pérez Mora kishte në vitin 2022 41 nipër e mbesa, 18 stërnipër dhe 12 stërmbesa.

Ky burrë, me profesion fermer, lindi në El Cobre në shtetin Tahira, në Venezuelën perëndimore, më 27 maj 1909. Ai ishte fëmija i nëntë në një familje me 10 fëmijë.

“Në moshën pesë vjeçare, ai filloi të punonte me babanë dhe vëllezërit e tij për të kultivuar tokën dhe për të ndihmuar në korrjen e kallam sheqerit dhe kafesë”, shkroi Libri i Rekordeve Botërore Guinness pas çmimit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re