Dr. Blerta Gjoni, dermatologe

Ekspozimi në rrezet e ngrohta të diellit na bën të ndihemi mirë dhe të bukur, mirëpo efektet e grumbulluara nga rrezëllitja e gjatë janë të shumta.

Njollat në fytyrë, djegja dhe plakja e parakohshme nuk janë efektet e vetme. Blerta Gjoni mjeke dermatologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 në kryeqytet,  tregon se ekspozimi i gjatë në diell bëhet shkak për një sërë sëmundjesh dermatologjike duke nxitur acarimin dhe shpërthimin e tyre.

Si ndikon dielli në sëmundjet e lëkurës?

Ekzistojnë disa sëmundje dermatologjike që në përgjithësi përmirësohen në periudhën e verës si psoriaza (sëmundje kronike e lëkurës e cila paraqitet me njolla të trasha me ngjyrë të kuqe ose të bardhë),  iktioza vulgare (sëmundje trashëguese e cila paraqitet me luspa në lëkurë) por ka edhe disa të tjera të cilat për shkak të nxehtësisë dhe djersitjes acarohen. Këtu mund të përmendim: dishidrozat (çrregullimet e gjendrave të djersës), dermatitet, melanomat, sëmundjen darier, aknet etj.

Por ekspozimi i tepërt në rrezet e diellit, dhe në orare të papërshtatshme (ora 11-16) ndonjëherë bëhet shkak edhe për shpërthimin e sëmundjeve të tjera si: herpes simplex, lupus eritematoze, akne rozacea, vitiligo (mungesë e pigmentimit të lëkurës).

Ndërkohw që tek fëmijët mund të shfaqen fotodermatoza të tipeve të ndryshme siç është urtikaria nga rrezatimet e diellit nga rrezet UVA e UVB, pruriti që shfaqet më shumë nga rrezet UVA se ato UVB.

Cilat janë sëmundjet që përkeqësohen më së shumti gjatë ekspozimit në diell?

Dermatiti -I karakterizuar nga lëkura e thatë, dermatiti ose ndryshe pezmatimi i lëkurës përkeqësohet shumë nga dielli. Ky i fundit dhe i nxehti rrisin dehidratimin e lëkurës, duke provokuar një ndjesi të madhe të tharjes së lëkurës. Hidratimi është i rëndësishëm, qoftë duke pirë shumë ujë e lëngje ashtu edhe duke përdorur një krem të mirë hidratues. Kjo gjë mund të parandalojë një përkeqësim të madh të shqetësimit në fjalë.

Melsama -E shkaktuar nga ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë, ajo mund të bëhet akute në verë si pasojë e ekspozimit në diell. Bëhet fjalë për disa njolla të cilat mund të shfaqen në zonat më delikate si në gjoks dhe në fytyrë.

Pikat në lëkurë -Pikat në lëkurë, të cilat varen thjesht nga një përqendrim më i madh lokal i melanocites, bëhen edhe më të dukshme gjatë daljes në diell. Melanocitet janë qelizat të cilat prodhojnë melaninën dhe ekspozimi i madh nën rrezet e diellit i bën ato më intensive dhe të rriten në mënyrë të ndjeshme.

Melanoma -Në momentin që melanocitet degjenerojnë në mënyrë të pakontrolluar, ato mund të shkaktojnë melanomën. Nëse nuk mbroheni vazhdimisht, sidomos gjatë orëve më të nxehta kur dielli është më intensiv, mund të shkaktojë këtë shqetësim, i cili mund të kthehet në një sëmundje të vërtetë.

Herpesi i buzëve -Ekspozimi në diell përkeqëson infeksionin e shkaktuar nga herpesi simplex, i cili shfaqet me flluska në buzë. Lëkura rreth këtyre flluskave zakonisht është e pezmatuar (e skuqur, e ënjtur dhe e dhimbshme).

Aknet, puçrrat në fytyrë -Skuqja e zonave të caktuara të fytyrës nga dielli, si ajo rreth syve, mjekrës dhe ballit manifestohet me puçrra që zakonisht çojnë në kruarje dhe flluska të vogla. Përveçse duhet të mbroheni gjatë kohës së ekspozimit në diell, për ta shmangur këtë është e nevojshme të mos pini shumë kafe dhe të limitoni në përgjithësi ushqimet kalorike dhe kafeinën.

Çfarë duhet të kenë kujdes këto persona?

Në raste të tilla të shfaqjeve të sëmundjeve dermatologjike ose të acarimit të tyre është e mira të kryhet vizita tek mjeku dermatolog por të kihen parasysh edhe këshillimet si profilaksi të sëmundjeve.

Duhet të përdorin gjithmonë kremra kundër diellit, me filtra të ndryshëm mbrojtës, (gjithmonë me SPF  mbi 15). Kjo sigurisht përcaktohet vetëm mbas një vizite te mjeku dermatolog. Është ai, që përcakton tipin e lëkurës për kategori të ndryshme moshash.

Ekzpozimi në diell duhet të bëhet në mënyrë graduale dhe jo të menjëherë, ndërsa lyerja me krem duhet bërë 20 minuta para ekspozimit.

 

Botuar në Gazeta Shëndeti Maj, 2017, me titull:”Ndikimi i rrezeve të diellit në sëmundjet e lëkurës”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re