Vitin e kaluar 13 vjeçari Abraham Olagbegi mësoi se ishte i prekur nga një sëmundje e rrallë e gjakut dhe se i duhej një transplant. Priti një vit dhe dhuruesi u gjet për të kryer transplantin e palcës. Operacioni shkoi me sukses dhe 13 vjeçari u kontaktua nga një organizatë e njohur jofitimprurëse, “Make a Wish”, e cila i tha se do t’i plotësonte një dëshirë atij, ashtu siç ka bërë me plot fëmijë me sëmundje të rënda.

“Më kujtohet që po vinim në shtëpi pas një takimi me doktorin dhe djali më tha: Mami, e mendova dëshirën time, kam shumë dëshirë të ushqej njerëzit e pastrehë”-kujton nëna e 13 vjeçarit në intervistë për CBS.

Nëna e 13 vjeçarit e pyeti të birin nëse mos vallë do të donte ndonjë Play Station, por vogëlushi ishte i sigurt në dëshirën e tij.

Babi i të miturit u gëzua jashtë mase teksa dëgjoi për dëshirën e të birit. “Make a Wish” (Thuaj një dëshirë) ia bëri realitet dëshirën 13 vjeçarit, duke organizuar një stendë ku ai vetë do të dorëzonte ushqime për njerëzit në nevojë, ushqime të cilat u dhuruan nga bizneset e qytetit ku jeton i mituri (Jackson).

“Kur u jepja ushqimin nevojtarëve, disa prej tyre ktheheshin, na thonin faleminderit. Ishte një ndjesi shumë e bukur, të ngrohte zemrën… dhe prindërit e mi më kanë mësuar, që është një bekim kur bën diçka të mirë”-tregoi 13 vjeçari.

Por dalja për të ushqyer vetëm një herë të pastrehët, nuk ishte e gjithë dëshira e 13 vjeçarit. Ai kërkoi që të dalë çdo muaj për një vit me radhë për të dhënë ushqim falas për nevojtarët… dhe dëshira e këtij fëmije, ende nuk është plotësuar deri në fund.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re