Skip to content

Dëshmia për “21 Janarin”/ Kush është personazhi i rëndësishëm që Meta përmendi para SPAK

Ish-presidenti Ilir Meta është marrë në pyetje nga SPAK për “21 Janarin”.

Kreu i Partisë së Lirisë është shoqëruar nga forcat e Policisë për në ambientet e SPAK, ku për rreth 2 orë e 30 minuta, u pyet si person që ka dijeni për çështjen.

Nga burime brenda SPAK, Fax News mëson edhe një pjesë të rëndësishme të dëshmisë së Metës.

Ishte një puç i organizuar, i mirëmenduar me videon e famshme për të cilën Gjykata e Lartë doli me një vendimmarrje. Duhet të hetohen edhe organizatorët e kësaj ngjarjeje pasi ishin me qëllim rrëzimin e pushtetit, jo vetëm ekzekutiv por edhe të prishjes së rendit kushtetues. Ishte e qartë mënyra e goditjes së institucioneve shtetërore”, ka thënë ish-presidenti Ilir Meta para SPAK.

Fax News mëson gjithashtu se, Meta, gjatë dëshmisë së tij, është shprehur edhe se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm, të organizuar nga Edi Rama, për të patur viktima.

Lidhur me provat që ai disponon, ish presidenti orientoi organin hetues të kryejë kontrolle dhe të sekuestrojë materialet që ndodhen pranë institucioneve përkatwse dhe që konsiderohen të klasifikuara.

Ndërkohë, të njëjtat burime rrëfejnë se, ish presidenti Meta ka përmendur edhe një emër të rëndësishëm të politikës sot dhe që në 21 janar 2011 mbante një post të lartë qeveritar, të cilën për momentin nuk po e bëjmë publik, por që Prokuroria Speciale tashmë e ka në skedarët e saj.

Ishte vetë Meta që i kishte kërkuar SPAK të pyetej mbi hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit, dosje që po hetohet nga prokurori Alfred Shehu.

Ndërkohë më parë, për të njëjtën çështje, janë thirrur Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Bamir Topi.