SHKODER- Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën “arrest me burg” pa afat për Bashkim Telin, 69 vjeçarin që vrau pak ditë më parë gruan e tij të dytë, Suzana Shemunin. Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije për “BalkanWeb” se gjatë seancës të drejtuar nga gjyqtarja Izabela Radovani, Teli ka shfaqur çrregullime. Ai ka thënë se e ka vrarë gruan e tij sepse ajo i kërkonte shpesh herë llogari për pensionin.“Donte të dinte se ku i shpenzoja paratë dhe i donte ajo për vete. Disa herë ia kam dhënë, ndërsa këtë herë nuk doja t’ja jepja. Ajo u nervozua dhe filloi të ngrinte zërin. Me pas na humbi kontrolli dhe e qëllova. Kuptova pas pak se kishte humbur jetën dhe dola nga banesa”,- dëshmoi ai.

Prokurori Vat Staka kërkoi arrest me burg pa afat për shtetasin Bashkim Teli, ndërsa avokati i caktuar kryesisht Agim Martini e la në dorë të gjykatës. Gjykata vlerësoi të ligjshëm ndalimin e shtetasit Bashkim Teli dhe vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Autori dyshohet se ka probleme psikike, kjo nga sjellja aspak normale e tij në sallën e gjyqit.(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re