Shoferi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri ishte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasditen e së hënës. Gentian Ceka mësohet se dha dëshminë e tij lidhur me patentat e Saimir Tahirit të gjetura në makinën e biznesmenit 25 vjeçar Orest Sota. Sipas Cekës, patentat ishin harruar aty prej tij, pasi automjeti me të cilin lëvizte Sota ishte përdorur përkohësisht nga Ceka.
 
Organi i akuzës ka disa përgjime të shoferit të ish-ministrit të brendshëm Tahiri, ku ai i shprehet babait të Orest Sotës se patentat i kishte harruar gabimisht në automjetin e 25 vjecarit.
 
“Patentat i kam pasur unë. Kam pasur makinën e tij dhe i lashë aty. Patentat i kam marrë unë para 2 muajsh në Durrës dhe i lashë aty”.
 
Prokuroria  e Krimeve të Rënda për herë të parë bashkoi zyrtarisht dosjen Tahiri-Sota-Habilaj, ndërsa u shpreh se dyshon se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e biznesmenit Orest Sota në Elbasan janë të ish-ministrit.
 
Sipas akuzës të gjitha të ardhurat janë frut i aktivitetit kriminal të Saimir Tahirit në trafikun e narkotikëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re