Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëri-tjetrin të hënën për shkeljen e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SH.B.A. në luftimet mbi enklavën malore Nago-Karabak, duke vënë në dyshim perspektivat e ndërmarrjes më të fundit ndërkombëtare për t’i dhënë fund një muaji konflikti.

Armëpushimi i tretë në pak më shumë se dy javë hyri në fuqi në 8 të mëngjesit me kohën lokale (0400 GMT). Brenda pak minutash, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se forcat armene kishin granatuar fshatra në rajonet Terter dhe Lachin.

Ministria e Mbrojtjes së Nago-Karabakut e mohoi atë dhe tha se forcat azerbajxhanase filluan një sulm me raketa në pozicionet ushtarake armene në anën verilindore në vijën e kontaktit. Ministria armene e Mbrojtjes njoftoi se pala azere shkeli armëpushimin rreth orës 9.10 të mëngjesit me kohën lokale, raporton Reuters.

Luftimet e fundit në Nago-Karabak, një pjesë malore e Azerbajxhanit e banuar dhe e kontrolluar nga armenët etnikë, shpërthyen në 27 shtator dhe janë më të ashprat në Kaukazin e Jugut që nga vitet 1990. Dy armëpushime të ndërmjetësuara nga Rusia kanë dështuar.

Fuqitë botërore duan të parandalojnë një luftë më të gjerë që mund të zvarritë Turqinë, e cila ka shprehur mbështetje të fortë për Azerbajxhanin, dhe Rusinë, e cila ka një pakt mbrojtje me Armeninë. Konflikti gjithashtu ka tensionuar marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO, shkruan agjencia britanike e lajmeve.

Armëpushimi i fundit u ra dakord të dielën pas bisedimeve të ndara në Uashington midis Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe ministrave të jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re