Kreu i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, ka reaguar pas lajmit se qeveria dhe Bashkia e Tiranës ka dështuar të lidhë marrëveshje me privatin për ndërtimin e Teatrit të ri dhe është vendosur ndërtimi i tij të bëhet me fondet publike.

Me një shënim në facebook, Kokëdhima shkruan se Teatri Kombëtar fitoi, bashkë me shqiptarët, dhe se, sipas tij, tërheqja e qeverisë, vjen si rezultat i qëndresës së aktivistëve dhe qytetarëve.

“‘Zgjidhja’ nuk beson se teatri i ri do të nisë ndërtimin brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, siç shprehet bashkia, aq më shumë nga qeveria e kryeministrit që kërkoi rrënimin e tij që në vitin 2000.  Një qeveri e re do t’u japë një skenë të re, dinjitoze dhe moderne, artistëve tanë të mrekullueshëm. Por sot, le të gëzohemi që Teatri Kombëtar fitoi, bashkë me shqiptarët”, shkruan mes të tjerash Kokëdhima.

Postimi i plotë:

Bashkia e Tiranës deklaroi sot se nuk ka arritur që të dakordësohet me palën private për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, gjoja sepse ‘Modeli financiar i propozuar nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor’.

‘Zgjidhja’ beson se zbythja e qeverisë dhe e bashkisë së Tiranës është mbi të gjitha rezultat i qëndresës së artistëve dhe qytetarëve. Ajo nisi që në shkurt 2018, u mbështet nga populli dhe çështja u ndërkombëtarizua te institucionet e huaja që i bënë presion qeverisë shqiptare që të tërhiqej nga shkatërrimi i shtëpisë së artistëve.

‘Zgjidhja’ falenderon artistët e skenës dhe të ekranit, shoqërinë civile dhe qytetarët për qëndresën shembullore ndaj një klani hajdutësh që donin të ndërtonin kullat e biznesit në tokën e tempullit të artistëve. Një falenderim shkon edhe për anëtarët e partisë ‘Zgjidhja’ që iu bashkuan protestës paqësore dhe qytetare të ‘Aleancës për Teatrin’.

‘Zgjidhja’ nuk beson se teatri i ri do të nisë ndërtimin brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, siç shprehet bashkia, aq më shumë nga qeveria e kryeministrit që kërkoi rrënimin e tij që në vitin 2000.  Një qeveri e re do t’u japë një skenë të re, dinjitoze dhe moderne, artistëve tanë të mrekullueshëm. Por sot, le të gëzohemi që Teatri Kombëtar fitoi, bashkë me shqiptarët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re