‘Evropa refuzoi Ramën, jo shqiptarët’, ky ishte një nga mesazhet që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpërndau sot për shqiptarët në një deklaratë urgjente nga selia blu.

Tri ditë pas dështimit në Bruksel për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Basha thotë se kryeministri Edi Rama duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Pavarësisht thirrjes së tij për Ramën, Basha nuk dha detaje nëse opozita do t’ju kthehet ose jo protestave.

Deklarata e Lulzim Bashës:

Për hapjen e negociatave u shtuan kushtet. Tregon se qeveria ka bërë hapa pas. Kapja e institucioneve dhe pabarazisë para ligjit ka bërë që shqiptarët të largohen nga vendi në mënyrë masive.

Vënia para drejtësisë e të korruptuarve janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Këto s’janë probleme të BE, por të qeverisjes së tij. Krejt ndryshe paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht, dhe mbështetje unanime me përjashtim të vendit. Megjithatë, kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa qeveria jonë, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin në dëm të popullit. Ne kemi vetëm një rrugë, ajo është rruga evropiane.

Evropa refuzoi Ramën, jo Shqipërinë. Ky mesazh ka qenë edhe më i qartë nga Gjermania. Në Evropë shkohet duke ndërtuar standardet evropiane në vendin tënd. Por kjo s’i intereson Ramës.

Kjo nuk i intereson Edi Ramëps pasi nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje dhe barazi të pushteteve. Të gjithë biem dakord se rruga e vetme është ajo drejt Evropës. Evropa do vijojë të refuzojë Edi Ramën dhe në do vuajmë pasojat, një njeri po na mban peng të gjithëve dhe kjo duhet të marrë fund.

Është koha që qeveria të ndjek shembullin e Maqedonisë dhe t’i kthejë mandatin popullit. Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që e çon vendin drejt dhe BE dhe kjo qeveri duhet të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deklarata e Bashës vjen pas dështimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më 18 tetor Donald Tusk konfirmoi se pas diskutimeve të gjata nuk vendos për një “PO”.

Menjëherë pas vendimit Meta u shpreh se asgjë s’ka përfunduar dhe nuk duhet humbur shpresa. Ndërsa Hahn deklaroi se vendimi është një zhgënjim, BE nuk mbajti premtimin.

Nuk kanë munguar edhe konferencat nga qeveria, ku Rama u shpreh se shpreson për një “Po” pranverën që vjen. Ndërsa Cakaj pohoi se asnjëherë qeveria Rama nuk u zotua se do të hapeshin me patjetër negociatat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re