Në mbledhjen e qeverisë “Haradinaj” me propozim të Ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është marrë vendim për ngritjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

Njoftimin e ka dhënë vetë kryeministri Hardinaj.

“Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Po ashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërsa Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, përmes një postimi në Facebook ka sqaruar se përse u morr ky vendim.

“Në vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë, për të fuqizuar ekonominë dhe shtetësinë tonë, sot me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria vendosi që ta ngrit në 100 për qind taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka thënë Shala.

Më tej ai ka përcjellë të tjera mesazhe, ekonomike e politike gjkithashtu.

“Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkëngjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë.”

Të nderuar prodhues, kërkoj nga ju të fokusoheni në cilësi. Produktet duhet të arrijnë cilësinë e standardit më të lartë në mënyrë që konsumatori-qytetari i Republikës të Kosovës, mos të ketë asnjë mëdyshje në përzgjedhjen e konsumit të tyre ditorë.

Të nderuar tregtarë, le të bashkohemi dhe të bëjmë zgjidhje kreative. Ta hulumtojmë tregun së bashku dhe të gjejmë vende tjera për të bashkëpunuar. Rritja e eksportit të produkteve dhe jo të mirave materiale, duhet të bëhet prioritet.

Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë. Ministria që unë udhëheq e përkrahur po ashtu nga Qeveria e Kosovës, do të fokusohet në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, duke krijuar kushte sa më të volitshme për prodhuesit dhe tregtarët vendorë. Andaj shpresojmë në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj në rrugëtimin tone për të fuqizuar Kosovën, prodhuesin dhe tregun e saj”, ka theksuar Shala.

Ky vendim vjen në shpërfillje të plotë të faktorit ndërkombëtar, sigurisht dhe të Serbisë e Bosnjës, të cilat u shtangën kur u ballafaquan me të ditë më parë. Ndërkohë, ky hap vjen ndërsa një dirë më parë, Serbia arriti të mbajë Kosovën jashtë Interpolit, me ndihmën dhe të votës boshnjake.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re