Mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për PPP-të në Shëndetësi ka dështuar, pasi mazhoranca nuk ka qenë e pranishme.

Bojkotin në bllok të mazhorancës, kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi, e ka cilësuar ‘shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit’.

Vokshi tha se mazhoranca po përpiqet të bllokojë punimet e komisionit, ndërsa bëri me dije se mbledhja e radhës do të zhvillohet të premten në orën 11:00.

“Mirëdita, sikurse është njoftuar dje, kam njoftuar mbledhjen e sotme të komisionit hetimor sot. Një thirrje sipas procedurave parlamentare dhe rregullores së Kuvendit. Mbledhja e sotme u thirr sepse kolegët e mazhorancës refuzuan që të kalonin kërkesën për informacion. Votuan kundër pikës nr.4 të rendit të ditës dhe meqenëse refuzuan njoftova mbledhjen e sotme sipas procedurave.

Dua të bëj me dije se mbledhja e sotme është thirrur në bazë të rregullores. Kam diskutuar dhe me nënkryetarin e këtij komisioni,  Plarent Ndreca, që të formulonin një rregullore të posaçme për punën e këtij komisioni, por ata refuzuan duke thënë se duhet të bazohemi në rregulloren e përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë. Neni 32, pika 2 e rregullores thotë që mbledhjet e komisionit thirren nga kryetari  tij. Unë i kam njoftuar dhe mazhoranca është në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit.

Edhe sot siç e shihni ka refuzuar të vijë, vendet janë bosh. Pra, pavarësisht se mazhoranca po tenton të pengojë punën në komision në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur trike, hile të paqena, absurde, dua të njoftoj mbledhjen e radhës të premten në orën 11:00.Kam marrë firmat e të gjithë deputetëve të opozitës”, tha Vokshi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re