Skip to content

Dështon për herë të 48 konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar edhe për herë të 48-të radhazi. Në seancën e sotme, kryesuesi Avni Dehari ka hedhur sërish në votim propozimin për Komisionin e votimit të fshehtë, i cili nuk ka marrë mbështetje nga asnjë parti politike përveç Vetëvendosjes.

Në sallën e Kuvendit ishin prezentë 100 deputetë, prej të cilëve 51 votuan “për”, ndërsa nuk pati as vota kundër e as abstenime. Deputetët e partive të tjera përdorën foltoren për të shprehur kundërshtimet e tyre ndaj kësaj mënyre votimi, por u ndërprenë nga kryesuesi i seancës.

Para godinës së Kuvendit, u zhvilluan edhe aksione simbolike kundër bllokadës institucionale që po vazhdon të pengojë funksionimin e institucioneve.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat deputetëve deri më 26 korrik për të konstituar Kuvendin, por pa sqaruar se çfarë do të ndodhë në rast të mosrealizimit të këtij afati.