Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë arrestuar pasditen e sotme në Dimal 4 zyrtarë dhe ish/zyrtarë të bashkisë Dimal dhe 2 punonjës të një firme private.

Mësohet se dosja hetimore e SPAK, me numër 214, ka filluar të hetohet në vitin 2020, pas denoncimit të bërë në SPAK nga shtetasi Petrit Baho.

Ka qenë ky shtetas që ka kallëzuar punonjësit e bashkisë së Dimalit se i kanë dëmtuar biznesin e ngritur në një pronë publike, të cilën ai e posedonte që prej fillimit të viteve 90’, me justifikimin se bashkia aty do të ndërtonte një lulishte.

Por Baho kishte përcjellë edhe provat në SPAK se pas prishjes prona e tij i kishte kaluar një qytetari tjetër që në atë vend kishte nisur të ndërtonte një objekt privat dhe jo lulishte siç ishte njoftuar.

Në kallëzim Baho kishte deklaruar se punimet për lulishte nga ana e bashkisë nuk kishin pasur asnjëherë si qëllim zgjerimin e hapësirave publike por favorizimin e një personin tjetër, me të cilin kallëzuesi Petrit Baho ka pasur një konflikt pronësie.

Pas gati 2-vitesh hetime për këtë çështje SPAK ka lëshuar sot 5 urdhër arresti për 3 punonjës të bashkisë Dimal, 2 punonjës firmash private dhe një urdhër “arrest shtëpie” për një ish/punonjëse të bashkisë Dimal.

Në pranga kanë përfunduar ish-shefi i transporteve në bashkinë e Dimalit Arben Çerra, Drejtori i Zyrës së Urbanistikës Altin Poli dhe Shefi i IKMT-së Agim Çunaj. Po kështu, në pranga kanë përfunduar edhe shtetasit Vait Koshi, administrator i një shoqërie tregtare dhe Arjan Demiraj, inxhinier pranë kësaj kompanie, ndërkohë që për ish/shefen e Urbanistikës në bashkinë Dimal Valentina Jançe SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Këta shtetas akuzohen se në këmbim të shumave monetare që varjonin nga 2 mijë deri 5000 euro lejonin qytetarë të ndryshëm për të kryer ndërtime, kryesisht në zonën e Dimalit.
Mbi shtetasit e sipërpërmendur rëndojnë akuzat: “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 259,245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet për këtë çështje kanë nisur në nëntor të vitit 2020, pas denoncimit të bërë nga qytetari Petrit Bahom por nga hetimet e thelluara, përveç rastit të kallëzuar nga shtetasi Petrit Baho, SPAK ka zbuluar edhe shumë episode të tjera të korrupsionit që kryenin zyrtarët e bashkisë Dimal, tashmë të arrestuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re