Një autobus me pasagjerë i linjës Skrapar-Tiranë është aksidentuar rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të rreth rrotullimit të Poshnjës në Urë-Vajgurore. Mësohet se autobusi ka bërë një frenim të detyruar pasi i ka dalë përpara një fëmijë dhe gjatë frenimit ka rrëshqitur dhe është përmbysur në kanal.

Nga aksidenti nuk ka pasur të lënduar mes pasagjerëve.

Ata kanë dalë nga autobusi dhe janë larguar me mjete të tjera drejt destinacioneve për ku ishin nisur, ndërkohë që në vendngjarje ndodhet vetëm drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, i cili do të shoqërohet nga policia për të dhënë deklarimet në lidhje me këtë ngjarje.

Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të policisë rrugore që po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të lagështirës dhe frenimit të detyruar të autobusit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re