Ndërkohë që dita e sotme ka numëruar 15 raste të reja me koronavirus në vend dhe rekord shënon Tirana, dy rastet e reja në Kamëz janë infektuar në një ceremoni mortore.

“Dy rastet pozitive në Bashkinë Kamëz janë identifikuar gjatë një ceremonie mortore, ndaj edhe një herë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rikujton qytetarëve se funeralet përtej rretheve familjare të ngushta, nuk janë të lejuara, pasi janë rrezik për shpërndarjen e infeksionit”- bëri të ditur sot Ministria e Shëndetësisë, gjatë deklaratës për të dhënat e fundit të situatës së koronavirusit në vend.

Ministria e Shëndetësisë kujtoi se “vijojnë të jenë të ndaluara çdo lloj aktiviteti me grumbullime masive njerëzish, ndaj lutemi për respektim të masave që janë në fuqi”.

Ndërkohë në vendin tonë janë 269 persona aktivë me COVID19, ku në Tiranë janë rreth 69 % e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Shkodër, Kamëz, Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 185
Krujë 22
Kamëz 14
Shkodër 14
Durrës 12
Mat 9
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re