LEZHE- Të tjera detaje zbulohen pas plagosjes së 35-vjeçarit Arben Gjini një natë më parë në Ishull Lezhë. Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se 35-vjecari i ka shpëtuar edhe një atentati tjetër rreth 8 muaj më parë, kur sapo kishte dalë nga burgu.

Arben Gjini është ekstraduar nga Italia për në Shqipëri në vitin 2015, pasi ishte në kërkim për kultivim kanabisi. Ai ka bërë dy vite burg dhe më pas është liruar. Pikërisht pas lirimit nga burgu i është bërë atentati i parë, por fatmirësisht ka arritur të shpëtojë.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se 35-vjecarit i janë vrarë edhe 3 vëllezër, njëri prej të cilëve në burg. Policia po heton në disa pista, por ajo më kryesorja është pista për prishjen e pazareve të drogës.

Arben Gjini ka marrë një plumb në këmbë dhe në një në shpatull dhe ndodhet në spitalin e Traumës. Pak minuta pas krimit, në fshatin Kolsh, është gjetur i djegur mjeti tip “Benz”, i denoncuar i vjedhur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e plagosjes. Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re