Hetimet janë përqendruar te dosjet që prokurori Albert Kuliçi drejton në hetime. Prej vitesh, ai punon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa dosjet që ka kaluar në duar kanë qenë mjaft të “nxehta”.

Kuliçi është zëvendësdrejtor i Prokurorisë dhe drejtues i sektorit Task-Forcë. A

lbert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka pasur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë që u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua, pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar gjithashtu edhe një aferë në “Albpetrol”, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11-katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ishkryebashkiaku Shpëtim Gjika.

DOSJA E SHPËTIM GJIKËS

Disa vite më parë, prokurori Albert Kuliçi hetoi dosjen e lidhur me koncesionin e parkimeve private në Vlorë.

Shpëtim Gjika, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, Ardian Musta, në cilësinë e nën/ kryetarit dhe zyrtarët e tjerë si Ilir Banushi, Arben Beqiraj, Taulla Zanaj, Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Petro Thanasko, ishin vënë në akuzë nga Prokuroria e Vlorës për çështjen e koncesionit 15- vjeçar të parkimeve në rrugët e Vlorës. Në shkurt 2019, Prokuroria e Vlorës (Albert Kuliçi) ngriti ndaj të pandehurve të mësipërm akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke dërguar dosjen në gjykatë.

TJETËRSIMI I PRONAVE

Kuliçi ka patur dhe dosje të tjera të lidhura me çështjen e pronave, kryesisht në bregdet. Së fundmi, ai ka hetuar dosjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit dhe Karaburunit, që u cilësua si skandal.

në qendër të vëmendjes në këtë dosje ishte biznesmeni Pëllumb Petritaj.

Ndaj tij, në datën 14 nëntor, Kuliçi kërkoi rikthimin në burg pas lirimit me garanci pasurore, kërkesë që u pranua nga Shkalla e Parë e Gjykatës Vlorë, por u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit.

KREU I GJYKATËS

Lidhur me ngjarjen, kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci është shprehur se shkak për këtë është bërë detyra e prokurorit. Ai e ka cilësuar këtë si një akt burracakësh, për shkak të profesionit si prokuror të Kuliçit, ndërkohë vetë deklaroi se nuk ndihet i kërcënuar.

Ai bëri një apel të fortë për ata që i kanë grabitur pronat, duke i paralajmëruar se “nuk do t’i gëzojnë”.

“Ka lidhje vetëm me ushtrimin e profesionit dhe kjo është një vepër e shëmtuar burracakësh dhe frikacakësh. Por gjyqtarët dhe prokurorët do të përgjigjen në seanca vetëm me vendime publike.

Unë vetë nuk ndihem asnjëherë i kërcënuar dhe e bëj detyrën për t’i shërbyer qytetarëve. Kuliçi është një ndër prokurorët më të mirë të Republikës së Shqipërisë, profesionalisht dhe të gjitha pikëpamjet.

Janë mbi 4 milionë euro të sekuestruara nga 6 dhjetori në masat provizore dhe është e vetmja pistë e profesionit dhe ushtrimit të detyrës së prokurorit”, është shprehur Haluci.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re