
Me urdhër të Prokurorisë, pas atentatit në Rrilë të Lezhës, është ndaluar efektivi i policisë me iniciale B.K.
Polici akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa gjatë incidentit ai ka qëlluar me armë, për të neutralizuar autorët.
Ai ishte pjesë e Patrullës së Përgjithshme Lezhë-Mirditë.
Ndërkohë, policia po vijon me kontrollet në Lezhë dhe jo vetëm.
Atentati
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur një 30-vjeçar, Sokol Daci, pronari i berberhanes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 dhe sipas burimeve janë përdorur dy armë zjarri, ndërsa nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë edhe një person tjetër, Merando Nikulaj, i cili e ka djalë xhaxhai Ardian Nikulajn dhe mendohet të ketë qenë shënjestra e sulmit.
Nikulaj gjendej brenda berberhanes dhe në atë moment ishte duke u qethur. Pas ngjarjes, është larguar dhe nuk është paraqitur në spital, ndërsa policia po ushtron kontrolle në spitale dhe klinika private, ku dyshohet se ai mund të ketë shkuar për mjekim.
3 vite më parë, biznesmeni Ardian Nikulaj mbeti i vrarë në lokalin e tij në Shëngjin.



