Detaje të reja dalin lidhur me plagosjen e 15-vjeçarit në Tiranë, i cili u qëllua me armë zjarri pasditen e së dielës brenda ambienteve të picerisë “Fantazia” në zonën e Ali Demit, ku ai punonte si kamarier.
Gazetari Igli Celmeta raporton se autori, motoristi i picerisë Aldo Neziri, ka përdorur një armë të fshehur në formën e një stilolapsi për të qëlluar adoleshentin, ndërsa më pas ka hedhur armën në zonën e Laprakës për të zhdukur provat.
Autori ka thënë se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, por ka dyshime se ngjarja nuk ka qenë aksidentale.
Ndërsa mësohet se tre punonjës të picerisë akuzohen si të përfshirë në ngjarje, pasi kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke fshirë gjurmët dhe provat, si dhe kanë shmangur njoftimin e menjëhershëm të Policisë.
Sipas burimeve, Policia është njoftuar vetëm pasi 15-vjeçari është dërguar në spital, ndërsa efektivët kanë konstatuar se vendi i ngjarjes te piceri “Fantazia” ishte pastruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë ishin fshirë.