TIRANË- Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e djeshme ku një ashensor në Tiranë u shkëput nga kati i pestë dhe më pas përfundoi në katin zero. Policia, në versionin zyrtar, thotë se shkak për shkëputjen është bërë tejkalimi i kapacitetit mbajtës.

Kapaciteti sipas autoriteteve është deri në tre persona, ndërsa në momentin kur është shkëputur kishin hipur pesë dhe kjo bëri që ai të shkëputet dhe të përfundojë në katin zero. Si pasojë e ngjarjes u lëndua një çift bashkëshortësh. Sipas inxhinierëve, ashensori ishte i kolauduar, por nuk figuronte i regjistruar tek autoritetet.

 

Sqarimi i Policisë: 

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Aleksandri i Madh”, ku ashensori i një pallati ra nga kati i pestë në katin zero, ju informojmë se nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkaku i rënies së ashensorit ka qenë tejkalimi i kapacitetit, pasi në ashensor kishin hipur 5 persona, ndërkohë që kapaciteti i lejuar ishte 2-3 persona. 2 personat e dëmtuar, pasi kanë marrë mjekimin në spital, janë larguar në banesë, ndërsa 3 të tjerët nuk kanë pësuar dëmtime. Materialet për këtë rast u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re